Kriza e energjisë është bërë pjesë e projektbuxhetit të vitit të ardhshëm dhe theksi vihet nën faktin se sidomos kompania e shpërndarjes do të vuajë nga humbja financiare për shkak të shpenzimeve që po bën dhe do të bëjë për blerjen në tregun e lirë.
Në dokumentin zyrtar që tashmë është depozituar në Kuvend, sa i takon energjisë theksi vihet tek disa masa të lidhura me mbrojtjen e kategorive në nevojë por edhe me arkëtimin e borxheve të prapambetura të cilat janë në nivele të larta sidomos nga ujësjellësit karshi OSHEE-së.
“Lidhur me parashikimet më të fundit për vitet 2021-2022, OSHEE sh.a ka raportuar se rritja e paparashikuar eksponenciale e çmimit të energjisë në Tregun e Lirë ka ndryshuar tërësisht perspektivat e zhvillimit të aktivitetit të shoqërisë duke e bërë të padobishëm çdo parashikim të mëparshëm të kësaj shoqërie. Mosplotësimi i planit të furnizimit me energji elektrike si pasojë e motit të thatë do të detyrojë
OSHEE Group sh.a të plotësojë këtë mungesë me blerje në tregun e lirë, që do të ndikojë në ulje të performancës financiare dhe mungesë likuiditeti të kompanisë. Si pasojë, nga ana e OSHEE Group parashikohet një humbje financiare prej rreth 8.9 miliard LEK për vitin 2021 dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme edhe viti 2022 do të shënojë një humbje financiare prej rreth 7.2 miliard LEK. Me qëllim zvogëlimin e humbjeve financiare OSHEE Group sh.a është duke programuar masa të shpejta lidhur me daljen nga kjo vështirësi në mënyrë që të arrijë një performancë pozitive financiare të sektorit për përballimin e situatave eventuale të vështira në të ardhmen pa rënduar buxhetin e shtetit.”-thuhet në relacionin e projektbuxhetit 2022.
Ky draft nënvizon se Ministria e Financave dhe Ekonomisë është angazhuar drejtpërdrejt në disa çështje sensistive financiare që lidhen me kompanitë e sektorit energjetik ku së pari shlyerja e detyrimeve të prapambetura. Së dyti rishikimi i skemës së mbështetjes sociale për rimbursimin e energjisë.
“MFE ka dhënë miratimin paraprak për këtë çështje, dhe asistenca teknike për vlerësimin e skemës aktuale ka filluar punën”, thuhet në dokument.
Skema aktuale në fuqi
Kompensimi si mbrojtje për shtresat në nevojë nga rritja e çmimit të energjisë elektrike sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore mund të përfitohet duke plotësuar disa kushte.
“Kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike në masën 640 Lekë, e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve, për nivelin e konsumit 200 kë/orë, si më poshtë:
- a) kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror, dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
- b) kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror, dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura;
- c) Kompensimi për familjet, që do të kompensohen sipas pikës 1 të këtij vendimi, bëhet 240 vetëm për një kontratë të energjisë elektrike dhe jepet vetëm një herë për një familje.
Kompensimi për mbrojtjen e shtresave në nevojë për efekt të heqjes së fashës së konsumit të energjisë elektrike deri në 300 Kwh në muaj.
Kompensimin e shpenzimeve nga ndryshimi i çmimit të energjisë elektrike në masën 648 Lekë, e përfitojnë të gjitha kategoritë e pensioneve, si më poshtë:
- a) Kryefamiljar në pension pleqërie shtetëror ose fshati, por me banim në qytet;
- b) Kryefamiljar në pension invaliditeti;
- c) Nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar, jeton vetëm, ose ka fëmijë në ngarkim pa të ardhura;
- d) Ka kontratë me OSSH-në (shënuar në faturën e shitjes apo librezën e dritave në emër të tij);
- e) Nuk ka dysheme për konsumin e energjisë elektrike;
- f) Nuk ka detyrime të papaguara të energjisë elektrike”.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al