Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka kritikuar sot qeverinë në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë, ku tha se atij i ka rastisur disa herë që të shkojë në ministri dhe nuk i ka gjetur ministrat në punë.
Në lidhje me krijimin e agjencisë për Bashkëqeverisje, Braçe tha se nuk kanë pse krijohen agjenci kot dhe të shpenzohen para kot sepse nuk funksionojnë institucionet. Ai theksoi se kush nuk bën punë “le të hapë krahun”, por sipas tij mungon vullneti për të larguar ata që nuk i shërbejnë qytetarëve.
“Unë do të doja në fillim që të thosha nga dy gjëra në radhë të parë për paragjykimin dhe për keqkuptimet që krijohen në të tilla raste dhe natyrsht me nevoja politike. Nuk ka lidhje kjo me patronazhistët. Besoj e dini që unë kam 29 vite kam qenë pjesë e asaj partie dhe këto lloj strukturash kanë ekzistuar. Struktura e patronazhimit në atë parti ka qenë permanente.
Organizatat e partisë janë të tilla që nuk i përgjigjen te thëmi numrit të votuesve për çdo qendër votimi dhe pikërisht për këtë arsye… nuk është sekret organizativ. Numri i votuesve përthyhet drejt njerëzve simpatizantë të PS-së, anëtarë të PS-së e të tjera me radhë që bëjnë punë politike, bëjnë punë aprtie…. Dhe do ta bëjnë këtë gjë.
Të thotë çfarë të dojë, cilido. Por me këtë strukturë që themi, nuk kanë lidhje fare.
E dini sa veta janë ata apo jo?!
Mondi të lutem! Kur të shkruhet në ligj. O Mondi të lutem, o Mondi të lutem, Mondi të lutem, o Mondi a ka mundësi që ta mbaroj unë? Do më lësh të flas të lutem. Merreni fjalën më pas. Po flas për një strukturë partie. Unë nuk e di, nuk e bëra dot në dy vite e gjysëm të gjeja se sa persona të PD-së punonin në kryeministri dhe bënin punë partie sapo mbaronte orari i punës. Ligji e lejon gjithkënd të bëjë çdo gjë jashtë orarit zyrtar.
A do ta them troç? Po ju them se gjysma e administratës nuk ka votuar PS-në. Fare. Zero. Në nivel qendror dhe vendor po të doni. Po flasim për agjencinë dhe kjo gjë nuk ka lidhje me agjencinë fare. Tarzani me qenë nuk bën dot patronazhistë që mbulojnë gjithë Republikën e Shqipërisë.
Nga pikëpamja e këtij komisioni, ajo që mua më shqetëson është si i përdorim ne këto para publike. Për të vënë në funksionim institucionet e shtetit, dhe me çfarë qëllimi vihen në lëvizje. Dy vjet e gjysmë kjo gjë nuk ka mjaftuar. E dini pse? Se fillon këtu. Nëse ministri, nuk e fillon ditën e punës duke patur qytetarin në mendje…
Aty është zonja (i drejtohet Spiropalit), sa herë kemi vajtur ne nëpër Ministri, tani se nuk nxjerr ndonjë sekret të madh, dhe nuk kemi gjet ministrat në punë. Ministra në punë! Është kështu?
Kemi shkuar për të kërkuar… Po të lutem o Mondi! A ka mundësi ta mbaroj mor burrë?
Ore kemi vajtur për të kontrolluar atë që tha Shalsi, marrjen e përgjigjes. Institucion më institucion. Dhe u detyruan të vendosin tabela për të kontrolluar pikërisht fluksin e ankesave dhe përgjigjeve që jepeshin. Tabela atje, ku gjithsecili vihej para tabelës dhe i thuhej pse s’ka marrë përgjigje.
Thelbi nuk është funksionimi i kësaj agjencie, por i institucioneve. Më lejoni t’jua them zonja ministre. Kemi hyrë në vitin e 9, do vijë i 10 dhe i 11.
Që ne të kemi vështirësi në funksionimin e institucioneve dhe për këtë të ndërtojmë instrumente të vënë në lëvizje institucionet, kjo më duket para e shpenzuar kot.
Të jemi të qartë. Nëse nuk bëjmë dot institucionet të funksionojnë, të hapin krahun që të gjithë, pa përjashtim, nga i pari te i fundit. Nëse ka agjenci që nuk i përgjigjen qytetarit për 1001 arsye dhe kur një nga këto është korrupsioni, në hipoteka, në tatime, në inspektime, e ku të doni ju, të hapin krahun të largohen. Ligji i përcakton rastet, por mungon vullneti për të ndjekur gjithë logjikën e ligjit të shërbimit civil për të larguar nga detyra atë që nuk shërben, atë që e korrupton institucionin për nevojat e veta.”– tha Braçe.