Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Unionit të Noterëve.
Pas marrjes në shyqrtim të çështjes, gjykata ka shfuqizuar disa nene, ndërsa thekson se shpalljen e vendimit do e bëjë të plotë brenda afateve ligjore.
Njoftimi
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 14.10.2021 dhe 20.10.2021 çështjen me palë kërkuese shoqata “Unioni i Noterëve Shqiptarë”, me objekt:
- Shfuqizimi si të papajtueshme me Kushtetutën të pikës 2 të nenit 8; pikës 6 të nenit 10; pikës 4 të nenit 15; shkronjave “d” dhe “dh” pika 2 të nenit 26; pikës 5 të nenit 26; shkronjave “ç” dhe “d” të nenit 27; pikës 2 e nenit 31; neneve 41-53; shkronjës “ll”, pika 1 e nenit 63; pikës 2 të nenit 75 shprehja “paga e zëvendësnoterit nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale mujore në shkallë vendi, sipas legjislacionit në fuqi”; shkronjave “dh” dhe “gj” të nenit 81; nenit 95; nenit 96; shkronjës “a”, pika 1 e nenit 105 shprehja “identifikuesin elektronik të aktit”; nenit 106, shprehja “Çdo akt dhe veprim noterial merr nga sistemi elektronik një numër unik elektronik”, nenit 127 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”.
- Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1045, datë 15.01.2020 “Për mënyrën e ndërlidhjes, nivelin e aksesit dhe të bashkëveprimit të sistemit elektronik të dhomës kombëtare të noterisë me bazat e tjera të të dhënave”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
- Pezullimi i zbatimit të shkronjave “d” dhe “dh” të pikës 2, të nenit 26, si dhe nenet 41-53, 95, 96 dhe 106, të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë” dhe i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 1045, datë 15.01.2020, deri në hyrjen në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese,
VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e fjalisë së fundit të pikës 1 të nenit 26 të ligjit nr. 110/2018 “Për noterinë”.
– Rrëzimin e kërkesës për kërkimet e tjera.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.”