Në daljen e sotme për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë në Krujë, ku rreth 500 qytetarë përfunduan në spital me shenja helmimi.
Ministrja Manastirliu tha se strukturat janë në pritje të analizave bakterologjike: “Dua t’ju jap një informacion, nga raportimet e ISHP dhe operatorët e kujdesit vendor të Krujës, janë ende në pritje të analizave bakterologjike.
Nga ana tjetër dua të theksoj se ditën e sotme janë 14 qytetarë, përfshi këtu fëmijë dhe adoleshentë që po marrim shërbim mjekësor pranë spitalit të Krujës. Fatmirësisht fluksi ka ardhur në rënie. Analizat bakterologjike kërkojnë kohën e tyre.”
E pyetur nga gazetarët nëse do të ketë një tjetër qendër diagnostikimi si Dispanceria, Manastirliu tha: “Në këtë pikë, progresi sa i përket transparencës së ofrimit të shërbimeve është i madh dhe i dukshëm. Çdo ekzaminim që kryhet në shtet, realizohet përmes mjekut të familjes. Çdo qytetar merr shërbim në kohë dhe me cilësi, ata nuk presin në radhë.
Sa i përket Dispanserisë, kemi investuar që ajo të jetë me standarde bashkëkohore. Aty do të shtohet një aparaturë e re në strukturën tonë, që të kemi një ulje të kohës së pritjes, për qytetarët që kanë planifikuar, dhe për rastet urgjente.”