Vendosni fjalën kyçe....

Ish-zyrtari i inteligjencës saudite akuza Princit Bin Selman: Është vrasës psikopat


Mohammed bin Salman po përpiqet ta vrasë atë për shkak të sekreteve që zotëron, duke e përshkruar sundimtarin si një ‘psikopat pa ndjeshmëri’ në një intervistë të dhënë për CBS.

Saad Aljabri, një ish-ministër i Shtetit saudit dhe ndihmës i ngushtë i ish-princit të kurorës dhe shefit të inteligjencës, Mohammed bin Nayef, ka qenë në mërgim që nga viti 2017. Ai ka pretenduar vazhdimisht se Mohammed bin Salman (MBS) po komploton për ta vrarë atë. Aljabri u largua nga Arabia Saudite për në Kanada pasi MBS rrëzoi bin Nayefin nga pozicioni i tij.

Tani, në një intervistë me emisionin ‘60 Minutes’ të CBS, Aljabri shtoi pretendimet e tij kundër sundimtarit ‘de fakto’ të mbretërisë saudite. Emisioni prezanton Aljabri si dikur ‘ndër miqtë më të mirë që Amerika kishte kundër terrorizmit’.

“Unë jam këtu për të dhënë alarmin për një psikopat, vrasës, në Lindjen e Mesme me burime të pafundme, i cili përbën një kërcënim për popullin e tij, për amerikanët dhe për planetin.” – i tha Aljabri intervistuesit të tij, Scott Pelley.

MBS është ‘një psikopat pa empati, nuk ndjen emocione, nuk ka mësuar kurrë nga përvoja e tij. Dhe ne kemi qenë dëshmitarë të mizorive dhe krimeve të kryera nga ky vrasës’ – shton ai. Princi i kurorës dyshohet se mban në robëri dy nga fëmijët e ish-spiunit të rangut të lartë dhe dhëndrin e tij, duke u përpjekur t’i përdorë ata si një mjet presioni për ta bërë atë të kthehet në Riad.

Por qeveria saudite këmbëngul se Aljabri është një kriminel financiar, i cili përvetësoi mbi 3 miliardë dollarë ndërsa punonte nën PNayef. Ish-mjeshtri i spiunazhit pretendon se arsyeja e pasurisë së tij masive është se monarkët sauditë kishin qenë ‘shumë bujarë’ me të gjatë viteve të shërbimit të tij. “Është një traditë në familjen mbretërore të Arabisë Saudite. Ata kujdesen për njerëzit përreth tyre.” – tha ai për CBS.

Për të mbështetur pretendimet e tij për natyrën mashtruese të bin Salmanit, ish-zyrtari i inteligjencës ndau një histori se si MBS dikur mburrej se mund të helmonte mbretin e atëhershëm Abdullah për t’i pastruar rrugën për në fron babait të tij.

Aljabri pretendon se kërcënimi është bërë në vitin 2014 gjatë një takimi midis bin Salman dhe bin Nayef, në të cilin ai ishte gjithashtu i pranishëm, por ai shton se nuk ishte i sigurt nëse MBS thjesht po mburrej apo po zbulonte planet që kishte. Aljabri pretendon se kanë mbetur të paktën dy regjistrime nga ai takim dhe ai e di se ku janë.

Mbreti Abdullah vdiq në vitin 2015 nga ato që thuhej se ishin shkaqe natyrore dhe babai i moshuar i MBS, Salman, 85 vjeç, u bë mbreti i ri saudit. Për katër vitet e fundit, pushteti i vërtetë ka qëndruar në duart e princit të kurorës.

Gjatë kësaj kohe, bin Salman u vendos si një figurë shumë e diskutueshme. Ai lehtësoi disa nga rregullat e rrepta fetare në mbretëri, duke lejuar gratë të ngasin makinën dhe të shkonin në kinema, ndër masat e tjera.

Por në të njëjtën kohë, ai urdhëroi arrestimin e shumë anëtarëve të familjes mbretërore, besnikë të bin Nayefit, duke i lejuar ata të liroheshin vetëm nëse pranonin të hiqnin dorë nga një pjesë e konsiderueshme e pasurisë së tyre.

Riadi ka vazhduar gjithashtu operacionin e tij ushtarak në Jemen nën bin Salmanin, i cili është dëmtuar nga akuzat për sulme ajrore pa dallim ndaj civilëve nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite.