Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi s’pyet për paralajmërimet e Alibeajt, ndërpret transmetimin e mbledhjes së Komisionit Hetimor për zgjedhjet


Kuvendi ka ndërprerë transmetimin e mbledhjes së Komisionit Parlamentar Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, pasi deputetët e PS-së u larguan nga salla.

Pavarësisht paralajmërimeve që bëri kreu i këtij Komisionit, Enkelejd Alibeaj, transmetimi në faqen e “Facebook”-ut të Kuvendit të Shqipërisë është ndërprerë.

Kjo menjëherë pas debatit mes Alibeajt dhe Drejtoreshës së Shërbimit në Kuvend Lefterie Luzi.

“Një ndërhyrje të vogël, po i them administratës. Mbledhja ka filluar, është çelur me kuorumin sipas rregullores. E deklaron kryetari, ju keni detyrat tuaja për të vazhduar transmetimin e kësaj mbledhjeje deri në fund kur kryetari i Komisionit të deklarojë fundin e saj.

Nëse do të merrni urdhra të paligjshme apo do të keni iniciativë për të ndërprerë sinjalin televiziv, do jem i detyruar të ushtroj të gjitha të drejtat e mia si deputet dhe kryetar i Komisionit për të gjithë ju, deri në kallëzim penal. Ky është një paralajmërim që e bëj, mos u bëni pengesë as juve administrata për vazhdimin e kësaj mbledhjeje.”- ishte paralajmërimi i Alibeajt, i cili më pas u kërkoi punonjësve të Gardës që ta nxirrnin zonjën Luzi jashtë.

Alibeaj vijon të drejtojë mbledhjen pa praninë e opozitës dhe të patransmetuar për mediat, ndërkohë që Partia Demokratike ka njoftuar se pas pak do mundësojë një lidhje live përmes “Facebook”-ut nga Komisioni Hetimor për Zgjedhjet./Hashtag.al