Pas largimit të socialistëve nga mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për zgjedhjet e 25 prillit, opozita ka vijuar e vetme punimet në Kuvend, madje pa transmetimin live nga faqja e Kuvendit.
Mirëpo pavarësisht ndërprerjes së sinjalit nga administrata e Kuvendit, anëtarët demokratë të Komisionit Hetimor janë “sajuar” disi, duke e transmetuar pjesën tjetër të mbledhjes live me një celular, nga faqja zyrtare në Facebook e deputetit Ervin Salianji.
Ky i fundit e kaloi celularin dorë më dorë, në mënyrë që të gjithë të japin fjalën e vet.
Kujtojmë se pas largimit të maxhorancës nga mbledhja e Komisionit, Kuvendi ka ndërprerë sinjalin e regjisë së saj duke i lënë mediat në ‘terr’ mbi atë çfarë po diskutonin demokratët të vetëm në mbledhje.
E gjithë kjo pas një debati mes palëve, ku maxhoranca dhe opozita nuk binin dakord mbi rendin e ditës dhe rregulloren.
Në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare dhe Hetimore me vendim të Kuvendit nuk lejohen kamerat e mediave, por transmetimi bëhet me një regji qendrore.