Nënkryetari i Partisë Demokratike Alfred Rushaj është takuar mëngjesin e sotëm me banorë të zonës së tij elektorale tek “5 Maji”, shtëpitë e të cilëve sipas tij kanë nisur të shemben pa asnjë garanci dhe kontratë për strehimin e tyre.
Rushaj garantoi banorët për realizimin e kërkesës së tyre për përfshirjen e KLSH-së në nxjerrjen e parregullsive për projektin.
“Shumë gjëra falen, por prishja e shtëpisë, nxjerrja në rrugë të madhe me fëmijët, është shumë e rëndë. Pas familjes, shtëpia është gjëja më e shtrenjtë për njeriun. Do t’i bëj kërkesë menjëherë kryetarit të KLSH që shkeljet e gjetura t’ia verë sa më shpejt në dispozicion organeve të drejtësisë.”- tha Rushaj.
Nënkryetari i PD-së vuri në dukje edhe anën politike të aktit për prishjen e shtëpive të banorëve tek lagjia “5 maji”.
“Shoh që ka dhe hakmarrje brenda, pasi kjo zonë ka votuar PD dhe gjejnë rast t’u bien banorëve. Disa mendua se do të zgjidhnin punë me votimet, por ju paralajmërova që po ju mashtrojnë, se kështu kanë bërë kudo. Një projekt i madh do të thotë se Interesat janë të mëdha.”- shprehet deputeti demokrat.
Banorët u shprehën të revoltuar për shembjen e banesave të tyre ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.
“Erion Veliaj dhe Edi Rama po fshihen. I zoti i shtëpisë që i fshihet familjes, ai është kot. Edi Rama është edhe kryeministër, kryeprokuror, kryegjykatës, kryepolic e dreqi e t’bir dhe sot jemi në rrugë të madhe. Jemi, sepse kemi pritur sa na ka ardhur litari neve në fyt”– thanë kryefamiljarët të nxjerrë me forcë nga shtëpitë që kanë nisur të prishen.