Ndahet nga jeta regjisorja nga Kosova, Burbuqe Berisha. Lajmin e ka bërë me dije Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë.
“Me pikëllim ju njoftojmë se sot në mesditë në Ministrinë e Kulturës papritmas ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit Burbuqe Berisha.
Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.
Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.”- thuhet në njoftimin e ministrisë.
Regjisorja e njohur mësohet se ka ndërruar jetë në vendin e saj të punës, ku kanë mbërritur edhe ekipet e mjekësisë ligjore.
Lidhur me lajmin e hidhur për vdekjen e saj, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e cila u shpreh ngushëllimet e saj familjarëve.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës.
Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi.”– shkruan Osmani.
Presidentja shton se “ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike”.
Burbuqe Berisha ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.
Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës. Në vitin 2019 ajo mori çmimin kombëtar për kinematografi.