Vendosni fjalën kyçe....

Bien çmimet e gazit në Europë pasi Putin urdhëroi Gazprom-in të mbushë depot e BE-së


Çmimet evropiane të gazit kanë rënë pas një takimi midis presidentit Putin dhe zyrtarëve të Gazprom. Presidenti rus udhëzoi kompaninë shtetërore të gazit natyror të vendit të dërgonte më shumë gaz drejt BE-së, duke shkaktuar rënien e menjëhershme të çmimeve të enjten.

Çmimet e gazit në Evropë janë rritur në javët e fundit mes kërkesës së fortë gjatë rimëkëmbjes ekonomike nga pandemia. Stoqet e Bashkimit Evropian gjithashtu u varfëruan pas një dimri të ftohtë.

Gjatë një telefonate me zyrtarët të mërkurën, Putin i tha Alexei Miller, kreut të Gazprom, të fillonte pompimin e gazit në objektet e magazinimit të kompanisë në BE.

Gjigantit të gazit natyror iu tha që të furnizonte njësitë e magazinimit në Austri dhe Gjermani pas 8 nëntorit, kohë në të cilën pritet të mbushen depot e brendshme të Rusisë.

“Kjo do të bëjë të mundur përmbushjen e angazhimeve tona kontraktuale në një mënyrë të besueshme, të qëndrueshme e të vijueshme dhe furnizimin e partnerëve tanë evropianë me gaz në vjeshtë dhe dimër.” – tha Putin.

“Kjo do të krijojë një situatë të favorshme e më të mirë në tregun evropian të energjisë në përgjithësi.” – shtoi ai.

Ndërsa Gazprom ka përmbushur detyrimet e tij sipas marrëveshjeve afatgjata, ai nuk ka shitur gaz shtesë në tregun e BE-së, duke zgjedhur të mbushë magazinat e brendshme.

Disa politikanë evropianë pretenduan se Rusia po e ndalonte gazin qëllimisht për të ushtruar presion ndaj autoriteteve gjermane dhe të BE-së që të shpejtonin miratimin rregullator përfundimtar për tubacionin Nord Stream 2.