Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale, në një vendim të shpallur sot nga gjyqtarja Migena Laska ka shpallur vendimin për një padi të ngritur nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ndaj CityNews Albania (CNA.al).
Sandër Lleshaj, rreth një vit e gjysëm më parë, në kulmin e pandemisë, kujtojmë këtu në muajin maj të vitit 2020, u denoncua nga ne si media për blerjen e një automjeti BMW, një makinë luksoze, e cila me vlerën e tregut në Gjermani shkonte deri në 77 mijë euro, pra rreth 100 milionë lekë të vjetra, për të cilën Sandër Lleshaj pretendonte se e kishte blerë më pak.
Dhe nga ana tjetër ngriti një padi, duke thënë se ne kishim shpifur për vlerën, dhe sepse e kishim quajtur “kapter” partie.
Gjykata, pas më shumë se një viti nga padia e ish-ministrit të Edi Ramës, gjeneralit Sandër Lleshaj, që u kthye në një gjeneral partie, sot ka shpallur CityNews Albania, të pafajshëm. Në një vendim i cili përmban rreth 24 faqe nga të cilat gati 20 prej tyre janë arsyetim i gjykatës mbi faktet dhe provat e paraqitura nga palët.
Qartësisht gjykata sot ka dhënë një vendim kundër një ish-ministri, i cili ishte kapur i “gjallë” nga CNA.al kur lëvizte me një mjet me targa false, fakt të cilin nuk e ka thënë në gjykatë. Targat e mjetit dhe denoncimi i tij është bërë pasi është demoncuar nga CNA.al. Një mjet i blerë për llogari të oficerit të kontaktit në Ambasadën Shqiptare në Berlin, i cili pasi i është vënë në dispozicion ministrit Lleshaj dhe një shumë me faturat finale të publikuara, prej rreth 50 mijë euro. Por, kjo pa TVSH.
I pyetur në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, Lleshaj në atë kohë tha se e kishte marrë me këtë vlerë për shkak të postit që mbante.
Por, CNA.al asnjëherë nuk e vuri në mëdyshje shumën prej 50 apo 60 mijë euro, e cila në fakt ishte diçka më pak, ndoshta 20% më pak sesa vlera e tregut e verifikuar në një dyqan zyrtar të BMW-së, për të njëjtin model në Këln, të Gjermanisë.
Këtë mund ta gjente lehtësisht Sandër Lleshaj dhe të tijët, edhe në faqen zyrtare ku me mijëra qytetarë blejnë sot mjetet online.
Nga ana tjetër, ministri u nxitua të shkonte në parlament dhe të na fyente, të na quante edhe “palo media”, të thoshte se shpifim, të bënte edhe statuse në rrjetet sociale.
Por, këto i përkasin një tjetër hapi, që për ne sot nuk ka më rëndësi. Është hapi i dështimit të Zotit Lleshaj, i cili tani duhet të kuptojë se ashtu siç thotë gjykata, një diferencë e vogël në vlerën e çmimit, nuk është shpifje. Fakti është se Zoti Lleshaj, kishte blerë një BMW luksoze në kulmin e pandemisë dhe pas tërmetit. Kur Shqipëria kishte nevojë për qindarka ndihmë ndaj familjeve që jetonin jashtë, apo qytetarët që kishin ankthin dhe panikun ndaj koronavirusit dhe ishin mbyllur në shtëpi, Sandër Lleshaj blinte një makinë luksoze.
Në atë moment, kryeministri duhej ta kishte shkarkuar në fakt nga detyra.
Por, e mbajti derisa ndodhi një ngjarje, për të cilën Lleshaj u tha se dha dorëheqjen, por në fakt ai ishte i shkarkuar.
CNA.al sot ka mundur të “rrëzojë” një ish-ministër arrogant. Një ish-gjeneral ushtrie që dorëzoi gradat, për t’u bërë një “kapter” partie, se nuk u bë dot kurrë as kapter ushtrie. Se një kapter ushtrie ka më shumë dinjitet, vlera dhe përfaqësim qytetar sesa sjellja që pati Sandër Lleshaj ndaj medias dhe ndaj qytetarëve. Duke përdorur arrogancën dhe pushtetin e ministrit, për tendera skandalozë dhe blerje makinash në kohën e kulmit të një krize të dhimbshme për shqiptarët e izoluar dhe ata të tronditur nga tërmeti.
Sot media ka fituar një betejë, me një ish-ministër të Edi Ramës, me një ish-ministër të një qeverie arrogante dhe fyese ndaj medias. Por, sot fitoi e vërteta. Faktet dhe provat e paraqitura në media, të cilat kur janë të dokumentuara, të shkruara dhe të “qëndisura” ashtu siç duhet, nuk ka gjeneral ushtrie apo “kapter” partie që të cënojë dinjitetin apo të dënojë mediat. Qofshin këto në gjykata të kapura, apo të lira.
Sot gjykatësja Migena Laskaj vendosi një standart për drejtësi, për ne si media, duke dhënë një vendim pafajësie për CNA.al, pasi avokati ynë, profesionisti Saimir Vishaj, ka faktuar dhe provuar në çdo seancë gjyqësore se ne nuk kemi shpifur dhe nuk kemi pasur tendencë të fyejmë askënd. Ne kemi akuzuar një ministër të Brendshëm në detyrë, i cili sot nuk është më i tillë.
Ne kemi akuzuar një ministër të Brendshëm që bleu një BMW luksoze në kohë krize.
Ne kemi akuzuar një ministër të Brendshëm, me fakte dhe dokumenta të drejtpërdrejta. Dhe nga ana tjetër ne kemi dhënë opinionin tonë dhe kemi komentuar me fakte dhe argumenta politikë të vërteta. Se gjenral Sandër Lleshaj la gradat për t’u bërë një ministër partie dhe më pas një “kapter” i qeverisë dhe i PS.
Këto ishin të vërtetat që ne kishim shkruar dhe mbi këto të vërteta, avokati ynë mbrojti CNA.al përballë gjykatës, me Sandër Lleshajn që për një vit nuk mungoi në asnjë seancë për të treguar sesa serioz ishte në padinë e tij.
Sot ka humbur dhe përveçse ka humbur gjyqin, i kërkojmë Zotit Lleshaj që ka detyrimin moral dhe qytetar, në rast se është në nivelin e atij gjenerali të dikurshëm që të kërkojë një ndjesë publike lexuesve të CNA.al, stafit të gazetarëve që u morën me investigimin e skandalit të BMW-së, dhe qytetarëve të cilët i ka mbushur me mllef duke shkruar statuse në facebook, apo duke paditur mediat në gjykata, si rrallë ndonjë ministër i Brendshëm.
Kjo ndjesë ndoshta do të çlironte dhe pak shpirtin e tij të hidhëruar nga fakti se la gradat e gjeneralit për t’u bërë një “kapter”partie.
Tashmë BMW-në nuk e ka më. Atë e përdor një tjetër ministër, se është e shtetit.
Tashmë postin e ministrit nuk e ka më sepse është dikush tjetër.
Gradat e gjeneralit i la për t’u bërë një “kapter” partie. Por, edhe atje nuk është më.
Nuk është as deputet, as në ushtrinë e “kapterave” të Edi Ramës.
Tashmë është një qytetar i thjeshtë. Shpresojmë që shpirti i Sandër Lleshajt të jetë çliruar dhe një ndjesë publike do t’i bënte mirë të gjithëve. Atij vetë dhe atyre që I nxitën këtë urrejtje dhe nuk mundën dot t’i qetësonin shpirtin, kur u gjet në mëkat.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e CNA.al