Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Më 29 Nëntor hapet Rruga e Arbrit


Kryeministri Edi Rama bëri me dije sot nga foltorja e Kuvendit, se më 29 nëntor do të hapet Rruga e Arbrit.

Para se të largohej nga salla e Kuvendit, Rama theksoi se i vetmi problem janë vonesat e shkaktuara në Qafën e Murrizit, por pjesa tjetër e rrugës është gati.

“Më 29 nëntor hapet Rruga e Arbrit, që të kalojnë njerëzit me të vetmin problem, në Qafën e Murrizit që ka krijuar vonesa, dhe gjithë pjesa tjetër është gati. Ja çfarë bën këtu PPP.

Nëse ajo që ndodhi me tunelin e Murrizit, dëgjo këtu Lulzim të mësosh noj gjë, nëse do të ndodhte me tunelin e Murrizit ajo që ndodhi, dhe ajo të ishte me buxhetin e shtetit, do na duhej të nxirrnim një mal me lekë, siç keni bërë ju bashkë me llumin.

Ke qenë ti me llumin atje, në majë të daulles. Kur erdhi puna, pasi i re daulles atje bashkë me llumin, u deshën sa e sa para për të vazhduar për t’u marrë me rrëshqitje e lemeritë e projektit. Apo me Çukë Qafë Plloq, sikur kishit bërë aty trampolinë. Këto janë projektet tuaja, kurse me PPP ne s’kemi punë fare, i themi kompanisë të doli tuneli me atë përbërje teknologjike dhe s’kemi punë fare. Ne thjesht do të paguajmë në vite kthimin e investimit për një rrugë që më 29 nëntor është gati aty.”- deklaroi Rama ndërsa i përgjigjej akuzave të kryedemokratit Lulzim Basha lidhur me Partneritetin-Publik-Privat.