Vendosni fjalën kyçe....

Gazment Bardhi nxjerr të dhënat e TIMS-it: Damian Gjiknuri ka bërë 17 udhëtime me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoto


Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, publikoi disa të dhëna të TIMS-it që faktonin se ish-ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ka bërë 17 udhëtime së bashku me përfituesit kryesore të parave të shtetit për inceneratorët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

“Ky nuk ka patur fatin e keq të bëjë aksident me Mirel Mërtirin si Arben Ahmetaj, por rezulton se ka udhëtuar 17 herë me përfituesit kryesorë të incineratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Ja ku janë të gjitha datat. Udhëtime me avion, makinë, anije, jaht, madje edhe charter. Prej ditës së parë në pushtet, kanë udhëtuar bashkë, kanë planifikuar bashkë dhe kanë miratuar që borxhin e marrë në emër të shqiptarëve ta çojnë tek incineratorët, fillimisht në Elbasan, me kontratën e vitit 2014.

Dokumentat tregojnë se Damian Gjiknuri ka udhëtuar me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin 2 herë brenda 1 muaji, shumë pak javë përpara miratimit të koncesionit në qeveri, ku përgjegjës direkt ishte ai si Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. E njëjta skemë është përsëritur sa herë miratohej një kontratë e koncesionit të incineratorëve.”– deklaroi Bardhi ndërsa tregonte dokumentin.

Po ashtu ai pyeti ish-ministrin Gjiknuri, se sa herë ka bërë pushime në shtëpinë “përfituesit të inceneratorëve” siç shprehet ai për biznesmenin Mirel Mërtiri në Maltë.

Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen pas kompanive guackë të miliarda eurove që qarkullojnë.

DENONCIMI I BARDHIT

Sot do të lodheni duke dëgjuar nga qeveria e votave të vjedhura për suksesin e madh të marrjes së një borxhi të ri. Do të lodheni duke dëgjuar se sa mirë jetoni për shkak të suksesit të jashtëzakonshëm ekonomik dhe se sa shumë ka punuar kjo qeveri për të na siguruar këtë borxh kaq të mirë!

Ka një fjalë që thotë se borxhi është varfëria më e keqe. Ajo çfarë qeveria na propozon sot është marrja e 2 borxheve paralele: 700 milionë euro për qeverinë e korruptuar të Edi Ramës dhe 70 milionë euro të tjera për OSHEE-në e vjedhur të Ardian Çelës. Këto 2 borxhe do t’i shtohen 3.3 miliardë eurove të tjera që Edi Rama ka marrë borxh që kur erdhi në krye të qeverisë.

Është kryeministri që mban rekord për borxhin e marrë në 30 vjet. Mbi 4 miliardë euro nga rreth 10 miliardë që është borxhi publik i krijuar në gati 30 vjet, janë marrë vetëm nga Edi Rama.

Por rekordi më i zi i Edi Ramës nuk është tek marrja borxh, por tek mënyra sesi ky i ka shpenzuar paratë. A i ka çuar këto para për të hapur vende pune? Përgjigjen e dimë të gjithë që është jo! Shqiptarët po ikin nga sytë këmbët si refugjatë, sepse këtu nuk ka punë.

A i ka përdorur këto 3.3 miliardë euro të marra borxh, pa llogaritur boxhin e sotëm, për të ndërtuar një shtet në interes të qytetarëve, duke kursyer me tenderat? Duke hequr dorë nga koncesionet abuzive? Duke luftuar korrupsionin? Duke nxitur garën? Duke bërë procedurat më transparente dhe duke rritur llogaridhënien? Të gjithë e dimë që jo! Nuk ka bërë asgjë nga këto që u interesojnë qytetarëve!

Edi Rama ka vepruar me paratë e shqiptarëve fiks si një person që sa herë merr ndonjë kredi për të kryer punë të vogla në shtëpi, merr në telefon shokët dhe bën ftesën më qesharake në botë: “sot kemi festë, do të të jap një darkë, se kam marrë kredi”. Kështu ka bërë dhe Edi Rama. Vetëm se ai nuk e ka me darkë harxhimin e lekëve të kredisë, por me tendera, koncesione të paracaktuara për klientët dhe që na zhysin githnjë e më shumë në borxh, gjithnjë e më shumë në varfëri, pa ia kthyer mbrapsht investimin shqiptarëve.

Është qeveria që ka ndërtuar më pak rrugë, shkolla dhe spitale me më shumë lekë. Arsyeja është e thjeshtë. Sepse vjedhin! Marrin borxh, siç po marrn sot gati 800 milion euro dhe këto para i ndajnë me një grusht njerëzish, me të cilët janë në biznes. Ndajnë rryshefetin bashkë, pastrojnë paratë e korrupsionit bashkë.

Rasti më flagrant është ai i incineratorëve. Nga njëra anë qeveria thotë se s’ka para dhe i duhet të marrë borxh, nga ana tjetër, paratë e borxhit shkojnë për të mbushur llogarinë në parajsa fiskale të incineratorëve. Për 3 incinertorët, në Tiranë, Fier dhe Elbasan shqiptarët kanë paguar deri më sot 80 milionë euro. Der në fund të kontratave korruptive, duhe të paguajmë 400 milionë euro. Pra, e thënë më thjesht, Edi Rama rrit borxhin e shqiptarëve për të paguar 2 njerëzit e dukshëm të incineratorëve: Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin.

Cilët janë njerezit e padukshëm të incineratorëve? Edi Rama, Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Belinda Balluku. Të gjithë këta janë gati të hanë kokat e njëri tjerit për pushtet, por kur vjen fjala për të paguar incineratorët, lufta e klaneve harrohet. Me borxhin e marrë në emër të shqiptarëve paguhen qindarkë më qindarkë dje me firmën e Damian Gjiknurit, sot me firmën e Belinda Balkukut dhe Erion Veliajt miliona e miliona euro për kryeveprën e korrupsionit të kësaj qeverie: incineratorët në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Në këtë qeveri, përveç Edi Ramës, dy janë partnerët kyçë në krimin zhvatjes së parave për llogari të incineratorëve: Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri.

Sot nuk do flas për rolin e Arben Ahmetajt, sepse është fakt publik tashmë që kur njerëzit e emëruar nga prej tij votonin për projektin 300 milionë euro të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit në Tiranë, Arben Ahmetaj ishte me pushime me përfituesin kryesor, Mirel Mërtirin. Kjo është dokumentar nga policia maqedonase, gjatë aksidentit me makinë të dy miqve dhe ortakëve në biznes.

Por rol kyç në pasurimin e miqve të tij me skemën mafioze të inineratorëve ka patur edhe Damian Gjiknuri, sot numri 2 i Partisë Socialiste. Ai ka rol kyç në skemën mafioze të incineratorëve për t’u grabitir paratë e marra borxh në emër të shqiptarëve dhe për t’i çuar në parajsa fiskale. Ky nuk ka patur fatin e keq të bëjë aksident me Mirel Mërtirin si Arben Ahmetaj, por rezulton se ka udhëtuar 17 herë me përfituesit kryesorë të incineratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Ja ku janë të gjitha datat. Udhëtime me avion, makinë, anije, jaht, madje edhe charter. Prej ditës së parë në pushtet, kanë udhëtuar bashkë, kanë planifikuar bashkë dhe kanë miratuar që borxhin e marrë në emër të shqiptarëve ta çojnë tek incineratorët, fillimisht në Elbasan, me kontratën e vitit 2014. Dokumentat tregojnë se Damian Gjiknuri ka udhëtuar me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin 2 herë brenda 1 muaji, shumë pak javë përpara miratimit të koncesionit në qeveri, ku përgjegjës direkt ishte ai si Ministër i Ekonomisë dhe Energjitikës. E njëjta skemë është përsëritur sa herë miratohej një kontratë e koncesionit të incineratorëve.

Përpara se ta thërrasë SPAK, i zgjedhuri i Edi Ramës si numri dy i Partisë Socialiste duhet t’u japë përgjigje shqiptarëve edhe për disa pyetjeve:

Damian Gjiknuri duhet të thotë sa herë ka bërë pushime në shtëpinë përfituesit të incineratorëve Mirel Mërtiri në Maltë? Për qytetarët që na ndjekin, Malta konsiderohet si parajsë fiskale për fshehjen pas kompanive guackë të miliarda eurove që qarkullojnë. Nuk është çudi që edhe paratë që janë borxh këto 8 vjet dhe u janë dhënë incineratorëve përmes Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos të kenë përfunduar në Maltë. Damian Gjiknuri duhet të thotë a ka vetë shtëpi në Maltë apo llogari të fshehura bankare të krijuara pas dhënies me koncesion edhe me firmën e tij të incineratorëve. Sot po ndaloj vetëm këtu. Nuk po e pyes me detaje për lejet minerare të dhena ortakut të incineratorëve, lejet për HEC-e dhe energji, tendera nga OSHEE, etj. Për këto smë del koha sot, por do flas në një tjetër seancë.

Sot po mjaftohem duke thënë se kjo është më e komplikuar se skema e blerjes së zgjedhjeve. Koka e Edi Ramës për vjedhjen e zgjedhjeve, nëse drejtësia bën detyrën e saj, nuk do të shohë tërmet, por cunam. SPAK-u ka mundesinë e vet të artë me këtë çështje, që shkon deri tek Edi Rama. Duhet vetëm pak vullnet. Siç duhet vullnet për të hetuar megakorrupsionin në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Nën drejtimin e Ardian Çelës, njeriut bankomat për Edi Ramën, shqiptarët janë vjedhur si në asnjë institucuon tjetër shtetëror. Ne jemi të varfër sepse jemi të vjedhur në mënyrën më të pamëshirshme të mundshme. Ne marrim sot rreth 800 milionë euro borxh, sepse këta na vjedhin tmerrësisht rëndë./Hashtag.al