Përkundër që Raporti i Progresit i Komisionit Evropian nuk e shprehu përkrahjen evropiane për vetingun në sistemin e drejtësisë në Kosovë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është kërkesë e Bashkimit Evropian që të bëhet vetingu e madje ka thënë se është kërkuar që kjo të bëhet edhe për Gjykatën Kushtetuese.
Në Deskun e KOHËS, duke iu përgjigjur Ehat Miftarajt të Institutit të Kosovës për Drejtësi që u shpreh se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës nuk e përkrahin këtë proces, Haxhiu ka thënë se “nuk qëndron ajo që është thënë në Raport të Progresit”.
“Kemi argumentuar nevojën për të pasur veting. Është kërkesë shoqërore. Mandati im s’është të bind ambasadorët pse diçka është e drejtë. Nëse ne konsiderojmë si shoqëri që ka nevojë për veting, duhet të veprojmë në përputhje me zotimet që kemi dhënë para qytetarëve. Ajo që është në Raport’ s’qëndron. Na është kërkuar madje t’i bëhet veting edhe Gjykatës Kushtetuese.”
Ajo ka thënë se pret që ligji për veting të bëhet vitin e ardhshëm, por ka shtuar se synimi është të bëhen amendamentet siç duhet.
Në anën tjetër, gazetarja Saranda Ramaj ka thënë se vetingu do të ishte joefikas nëse s’përfshihet edhe Policia në të.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Koha