Vendosni fjalën kyçe....

Rama i përgjigjet Xhaferajt për rindërtimin: Në Itali banorët ende në rulotë pas 12 vjetësh, ne na vonoi pandemia


Deputeti i PD-së së qarkut të Durrësit, Ferdinand Xhaferraj kishte thirrur sot në interpelancë ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj.

Xhaferraj i kërkoi llogari ministrit se përse në fund të korrikut u anulua vendimi për rikonstruksionin e dy rrugëve ‘Miqësia’ dhe Azem Hajdari-gjelbërimi’, në Durrës.

“Tërmeti ekspozoi vetëm një gjë, që ju jeni të gatshëm të përfitoni edhe nga ngjarje të tilla! Babëzia ju bën të përfitoni edhe nga fatkeqësia.”– tha Xhaferraj.

Ai mori përgjigje nga Ahmetaj se vendimi nuk është anuluar, por të dyja rrugët janë futur brenda një plani të detyruar vendor më të gjerë dhe nuk është hequr financimi. Sipas Ahmetaj, procedurat për kontratën e punimeve pritet të përfundojnë në fund të këtij viti.

Ndërkohë Xhaferraj vuri në dukje problematikat që ka qarku i Durrësit veçanërisht pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.

Ai theksoi se shumë banorë janë ende pa shtëpi, ndërsa akuzoi qeverinë se ka fshehur përgjegjësit e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, duke iu referuar cilësisë së dobët të ndërtimeve.

“Brenda qershorit të 2021, kryeministri tha se do të kemi mbaruar punë me tërmetin. Ndërsa sot, në tetor 2021, qytetarët e Durrësit akoma nuk kanë marrë bonuset e qirasë. Ka një problem tjetër, që prek rrugën. Në dhjetor të vitit 2020, dy shoqata, janë drejtuar komisionerit për mbrojtje nga diskriminimi sepse kishin vite që kërkonin të bënin rrugën, por punonjësit e administratës i quanin ‘çeçenë’. Kur arrini të diskriminoni komisionerin për mbrojtje të diskriminimit, çfarë prisni për të tjerët. E kuptoni ku jemi? Komisioneri kërkon informacion dhe nuk merr, imagjino çfarë ndodh me qytetarët e thjeshtë. I vetmi zë që dëgjon qeveria juaj është zëri i ryshfetit, oligarkëve. Në Durrës nuk ka vrarë tërmeti, por masakra urbane. Po çfarë flisni për tërmetin sepse rrafshuat 30 sheshe dhe filluat punimet në pallatin ku banonte zv.ministrja e Brendshme. Ju jeni të gatshëm të përfitoni nga babëzia.”– tha Xhaferraj.

Deputeti demokrat i mori përgjigjet nga kryeministri Edi Rama, i cili e ftoi Xhaferrajn të jetë prezent në dorëzimin e këtyre banesave nga Durrësi në Laç dhe Tiranë. Rama theksoi se në Itali ka ende familje që jetojnë në rulotë edhe 12 vite pas tërmetit të ndodhur atje.

“U ndjeva i detyruar të ndërhyj sepse realisht çdo njeri ka të drejtë të gabojë, por të këmbëngulësh në gabim është djallëzore. E ngritët me furi një uturi shpifjesh dhe akuzash dhe bëtë edhe një gjest digjital këtu, me siguri keni qenë i zënë për të përmirësuar cilësinë e diellit dhe se keni vënë re që mes angazhimeve për të pasojat e tërmetit dhe afateve të tërmetit ka ndodhur diçka që ka tronditur gjithë botën, zoti Xhaferri, pandemia. 

Ju kujtoj se kanë qenë muaj të tërë në të cilën kantierët janë bllokuar edhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, mbi çfarë baze i ngrini këta akuza dhe flisni për babëzi. Keni ndonjë shifër. Shkollat kanë standarde, kanë kritere, shkollat kanë preventiva, janë të zhvilluara si proces ndërtimi me gara.

Garat kanë dosje dhe mbi gjithë këto fakte mund të bëhen edhe hulumtime dhe pastaj mund të nxirren konkluzione profesionale jo si mjek popullor, apo si akrobat popullor cirku. Siç ju tha dhe zv.kryeministri shkollat janë aty krah për krah me shkollat që keni ndërtuar ju, dhe kontrasti është si e sotmja me mesjetën kur vjen fjala tek infrastruktura e tyre. Duhen fakte dhe argumente. Po na thua që qenka fshehur sheshe për të fshehur gjurmët. Të gjitha godinat kanë historikun e tyre dhe provat i ka prokuroria. Sytë u janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat e shëmtia. Ndryshe nuk do të ishit krenare pa kthim për të gjithë masakrën urbane që kemi promovuar si mrekulli të botës.

Në kohën kur ju qeverisnit duhet të dilje me duart në hunë dhe në sy për të mos parë dhe për të mos marrë erë. Këtu nuk kemi çfarë diskutojmë. Kemi një konflikt estetik në atë që është edhe dallimi i madh mes civilizimesh. Numri i familjeve që sot kanë shtëpi është i madh dhe do të rritet në javën e fundit. Ju ftoj ju zoti Xhaferri të na bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive deri në datën 26 nëntor ku ju do shikoni me sytë tuaja se si në Ishëm dhe jo shumë larg Durrësit ku është edhe Thumana, Laçi, Bubqi. Mund të vini me ne edhe në Lezhë. Tiranën ja ku e keni shkojmë bashkë edhe te 5 Maj këtu afër. Ka shumë gjëra për të cilat mund të ngrini pretendime por kësaj të tërmetit duhet t’i rrini larg. Është një ndër ndërmarrjet më të mëdha që do mbetet në histori. Në Itali njerëzit janë akoma në rulota pas 12 vitesh pas tërmeteve. Ndërkohë që këtu, nuk kemi luksin t’i lëmë njerëzit të presin, të gjithë do marrin atë që i takon.”– tha Rama.