Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane flet për testin e armëve hipersonike të Kinës: Shqetësues


Shefi i Shtabit të SHBA-së, Gjenerali Mark Milley ka sugjeruar se testi i fundit i Kinës i një arme hipersonike mund të jetë një zhvillim i jashtëzakonshëm, duke sugjeruar se SHBA ka mbetur shumë prapa në garën e armatimeve në shekullin e 21-të.

“Ajo që pamë ishte një ngjarje shumë domethënëse e një testimi të një sistemi të armëve hipersonike. Dhe është shumë shqetësuese.” – tha Milley në një intervistë në emisionin e David Rubenstein në Bloomberg TV të mërkurën.

Milley është zyrtari i nivelit më të lartë që flet mbi raportet se Kina ka kryer testim të armëve hipersonike gjatë verës. Fillimisht e raportuar nga Financial Times, e cila citoi burime të paidentifikuara, lajmet e testeve përmendën se një nga armët ishte lëshuar në orbitë dhe ishte në gjendje të mbante një ngarkesë bërthamore.

Drejtori i Përgjithshëm i Raytheon, një nga kontraktorët më të mëdhenj të armëve të SHBA-së, ka pranuar gjithashtu se SHBA-të po ngelen shumë pas Kinës në zhvillimin e armëve hipersonike. Uashingtoni është ‘të paktën disa vite prapa’, tha të martën CEO-ja, Gregory Hayes.

Gjenerali dukej se e pranoi se epërsia ushtarake e Kinës ishte një përfundim i paramenduar, duke vënë në dukje se “ndërsa ne ecim përpara gjatë 10, 20, 25 viteve të ardhshme, nuk ka asnjë dyshim në mendjen time se sfida më e madhe gjeostrategjike për Shtetet e Bashkuara do të jetë Kina.” – theksoi ai.

Ai shtoi se zhvillimi ushtarak i Pekinit ishte ‘me të vërtetë i rëndësishëm’ dhe argumentoi se buxheti i tij ushtarak, nëse llogariten pagat më të ulëta të ushtarëve kinezë dhe kontraktorëve të mbrojtjes, ishte në fakt mjaft afër me shpenzimet ushtarake astronomike të SHBA-së, udhëheqëse në botë.

Milley foli me homologët e tij kinezë në ditët e fundit të presidencës së Trump, duke siguruar Pekinin se presidenti republikan nuk kishte në plan t’i godiste ata ushtarakisht. Ai është kritikuar shumë për këtë veprim, madje kritikët e tij e kanë cilësuar atë si një tradhti ndaj detyrave të tij.