Ndërtesa e Sarajeve të Toptanëve në kryeqytet është tashmë pronë e bashkisë së Tiranës.
Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj ka publikuar pak më herët vendimin e qeverisë dhe shprehet se kjo pronë do të përdoret si muze i qytetit. Veliaj thotë se bashkia e Tiranës do t’u paguajë pronarëve 2.5 milionë dollarë për ndërtesën monument kulture.
“Me vendim të qeverisë shqiptare, nga sot, ndërtesa e ‘Sarajeve’ është pronë e Bashkisë së Tiranës si muze i qytetit që do evokojë traditën, si edhe historinë diplomatike.
Bashkia Tiranë i paguan 2.5 mln USD pronarëve për ndërtesën monument kulture – një precedent historik!”– shkruan Veliaj.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar, në media u raportua se policia bashkiake në Tiranë kishte rrethuar Sarajet e Toptanëve pas një urdhri për ta marrë nën administrim për mirëmbajtje.
Pasi janë njoftuar pronarët kanë shkuar pranë pronës dhe kërkojnë që të ulen në tryezë dhe të negociojnë me bashkinë apo Ministrinë e Kulturës.
Ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti ka bërë të ditur se “saga” e Sarajeve ka marrë fund dhe se së shpejti do të nisë puna për “ta kthyer godinën në identitet”.
Sjellim ndërmend se vetëm tre ditë pas zjarrit të vënë qëllimisht, godina e Sarajeve të Toptanëve në Tiranë u vendos të shpronësohej. Sipas vendimit të qeverisë të publikuar tashmë edhe në fletoren zyrtare, pronarët do të marrin një vlerë monetare prej 178 694 456 lekësh.