Vendosni fjalën kyçe....

Zuckerberg i ndryshon emrin Facebook-ut, e quan ‘Meta’


Gjiganti i rrjeteve sociale Facebook ka njoftuar se do të njihet si Meta në vazhdim.

E rrethuar nga skandale të shumta gjatë javëve të fundit, kompania shpreson të kalojë në ‘të qenit një kompani metaverse’ dhe jo një firmë e mediave sociale.

I zhytur në hetime të shumta antitrust, duke luftuar hetime në shumë vende dhe duke u përpjekur dëshpërimisht për të zbutur zbulimet nga një seri shpërthyese rrjedhjesh të brendshme dokumentesh, Facebook la të kuptohet në fillim të këtij muaji se do të merrte një drejtim të ri bazuar në një përvojë që do emërtohet ‘metaverse’.

“Ne jemi një kompani që ndërton teknologji për t’u lidhur.” – deklaroi CEO-ja Mark Zuckerberg teksa njoftoi ndryshimin e emrit të enjten, gjatë një veprimtarie të kompanisë në Connect.

“Së bashku, më në fund mund t’i vendosim njerëzit në qendër të teknologjisë sonë. Dhe së bashku, ne mund të zhbllokojmë një ekonomi krijuese masivisht më të madhe.” – shtoi ai.

Ndërsa Zuckerberg nuk ka zbuluar ende hollësi të plota të metaverses së ardhshme, nënfaqja ‘Meta’ në faqen kryesore të Facebook e përshkruan atë si ‘evolucioni i ardhshëm i lidhjes sociale’.

Ndërsa nuk është e qartë se kur Zuckerberg vendosi për emrin Meta, një kompani me atë emër u ble nga nisma e tij Chan Zuckerberg në vitin 2017. Me seli në Redwood City, Kaliforni, jo shumë larg selisë së Facebook-ut, firma drejtonte një ‘platformë për zbulimin e letërsisë’, e quajtur Meta Science.

Zuckerberg i tha Verve Times në një intervistë të botuar të enjten se ai kishte menduar për riemërtimin e Facebook që nga blerja e Instagram dhe WhatsApp (përkatësisht në 2012 dhe 2014), por vendosi ta bënte këtë vetëm këtë vit.