Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, i është përgjigjur Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së dhe ish-ministrit Damian Gjiknuri, pas paralajmërimit të këtij të fundit për kallëzim penal.
Bardhi shprehet në një postim në rrjetet sociale se mezi pret të përballet në gjykatë me Gjiknurin, ndërsa sqaron se kur bëri denoncimin kishte listuar 15 udhëtime, por në fakt ishin 17 udhëtimet që ish-ministri ka bërë me biznesmenët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Me ironi, Bardhi i bën thirrje Gjiknurit “ruaj qetësinë”, sepse sipas tij duke u përpjekur të gënjejë po pranon padashje të vërtetën.
“Damian Gjiknuri ka bërë shumë mirë që ka ndjekur këshillën time për të marrë avokat, do i duhet për gjatë, veçanërisht për në SPAK.
Mirëpres çdo padi ndaj çdo deklarate times nga dita e parë e angazhimit në politikë, e deri në ditën e fundit. Mezi pres seancat gjyqësore për të dorëzuar provat e pakontestueshme që paraqita dje në Kuvend dhe shumë të tjera që për efekt kohe nuk munda.
Damian ruaj qetësinë, se ndryshe duke u përpjekur të gënjesh, pranon të vërtetën.
E vërteta të ka bërë të pohosh sikur unë kam thënë se ke bërë 17 udhëtime me mafiozët e incineratorëve, kur unë të listova vetëm 15 udhëtime. Në fakt janë fiks 17, sepse dje nuk përfshiva ato të datës 01.09.2010 dhe 27.01.2012. Faleminderit që më konfirmon.”– shkruan Bardhi.
Pak më herët, Gjiknuri njoftoi se do të kallëzonte penalisht për shpifje Bardhin, pas denoncimit të këtij të fundit në Kuvend lidhur me 17 udhëtime që ish-ministri socialist ka bërë së bashku me përfituesit kryesorë të parave të shtetit për inceneratorët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.