Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka dhënë autorizim urgjent për përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech mRNA kundër Covid-19 te fëmijët nga mosha 5 deri në 11 vjeç, pas miratimit njëzëri nga një panel këshillues.
“Autorizimi u bazua në vlerësimin e plotë dhe transparent të të dhënave nga FDA që përfshinin të dhëna nga ekspertë të komitetit të pavarur këshillues, të cilët votuan në masë dërrmuese në favor të vënies së vaksinës në dispozicion të fëmijëve në këtë grupmoshë,” tha agjencia të premten.
Në fillim të kësaj jave, komiteti këshillues i vaksinave i FDA votoi 17-0, me një abstenim, për të miratuar përdorimin urgjent të vaksinës për fëmijët. Dozat do të administrohen me një distancë prej tre javësh, në dy doza 10 mikrogramë, një e treta e dozës së rekomanduar për personat nga 12 vjeç e lart.
Vendimi i panelit u bazua në të dhënat e paraqitura nga Pfizer, i cili gjurmoi 2,268 fëmijë në grupmoshën 5-11 vjeç, të cilët morën dozën e rekomanduar ose një placebo.
“Vaksinimi i fëmijëve më të vegjël kundër Covid-19 do të na sjellë më pranë kthimit në normalitet.” – tha në një deklaratë të premten, komisionerja në detyrë e FDA-së, Janet Woodcock.
Peter Marks, drejtor i Qendrës për Vlerësimin dhe Kërkimin Biologjik të FDA-së, tha se agjencia ishte ‘e përkushtuar për të marrë vendime që udhëhiqen nga shkenca që publiku dhe komuniteti i kujdesit shëndetësor mund t’i besojnë’.
“Ne kemi besim në sigurinë, efektivitetin dhe të dhënat që qëndrojnë pas këtij autorizimi.” – shtoi ai.