Vendosni fjalën kyçe....

Gjiknuri pas mbledhjes së PS-së: Presim dekretin e Presidentit për zgjedhjet vendore pas vendimit të Kushtetueses


Këtë mëngjes kryeministri Edi Rama mblodhi Kryesinë e PS në selinë rozë, ku menjëherë pas përfundimit të mbledhjes foli për mediet Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.

Ai u shpreh se në mbledhje vëmendja është përqedruar tek partia pasi është ajo që fitoi zgjedhjet e prillit dhe që reflekton interesat e shqiptarëve.

Ndërkohë Gjiknuri tha se për Partinë Socialiste pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore të vitit 2019, do të pritej një datë nga ana e Presidentit Ilir Meta brenda 45 ditësh.

“Ne jemi gati edhe për zgjedhje të pjesshme vendore. Pas zbardhjes së vendimit për Gjykatën Kushtetuese do të thotë se brenda 45 ditësh Presidenti do të duhet t’i dekretojë ato siç e ka Kushtetuta. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato.  PS është fokusi kryesor dhe partia është ajo që konkurron në zgjedhje në çdo kohë që ato të jenë.”- tha Gjiknuri.

I pyetur mbi kërkesën e demokratëve për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Gjiknuri tha se beson se do të ngrihet pa asnjë pengesë dhe shpreson se të arrihet konsensus me opozitën.

“Komisioni i reformës zgjedhore është një komision bipartizan dhe ne pas marrjes së kërkesës nga PD do të vijojmë me procedurat parlamentare dhe ta miratojmë. Nuk ka asnjë pengesë.  Është shpejt për të folur për ndryshimet. Jam i bindur se PD ka propozimet e saj dhe ne kemi propozimet tona, dhe në çështje të përbashkët do të ketë konsensus.”- tha ai.