Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqi i Berishës me SHBA/ Gazetari: Kontaktova zyrtarisht, padia vetëm sa është protokolluar në sekretari


Pak ditë më parë, po edhe sot, ish-kryeministri Berisha u ka thënë demokratëve në foltoret e thirrura prej tij se një gjykatës francez në tribunalin e Parisit ka pranuar padinë e tij ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit, Blinken.

Sot ai pohoi se disa miq të tij i kanë dhënë se në dosje nuk ka asnjë provë, asnjë dokument kundër Berishës.

Emisioni “Zona Zero” në Top News, ka zbuluar ekskluzivisht se nuk bëhet fjalë për pranim të padisë, por për një veprim thjesht protokollar.

Gazetari Albi Xhunga, zbuloi në një lidhje direkte me gazetarin Thimi Samarxhiu, se bëhet fjalë vetëm për depozitimin e dosjes pranë gjykatës.

Samarxhi tha në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Parisi me emisionin ‘Zona Zero’ se procedura në këtë tribunal ka tre hapa. Fillimisht është depozitimi i dosjes, pastaj personi që depoziton dosjen njoftohet se ajo është pranuar nga gjykata por kjo nuk nënkupton se çështja do gjykohet në themel.

“Unë kontaktova zyrën e shtypit të tribunalit të Parisit për të marrë informacion për çështjen e Sali Berishës. Fola me një magjistrat të ngarkuar në marrëdhëniet me shtypin. Zotëria më shpjegoi se procedura ka tre faza. Depozitohet dosja, më pas personi që ka depozituar dosjen merr njoftimin se dosja u pranua nga gjykata, pro kjo nuk do të thotë se çështja do gjykohet në themel. Nëse kjo çështje do trajtohet apo hyn në kompetencat e gjykatës së Parisit vendoset pastaj. Ky është një sherbim për qytetarët francezë. Berisha arsyeton se krimi ka ndodhur në internet dhe internet ka në Francë. Jemi thjesht në fazën që çështja është protokolluar, nuk ka asnjë më shumë.” – tha gazetari Samarxhi.

Më tej, gazetari Xhunga shtoi se në njoftimin e Sali Berishës kishte dy probleme. Ai theksoi se Berisha nuk ka përmendur emrin e gjyqtarit në njoftimin e tij ndërsa shtoi se nuk është Blinken ai që paraqet prova po është gjykata ajo që kërkon të tilla nëse vendos ta marrë në shqyrtim çështjen.

“Ai thotë se gjyqtari ka pranuar çështjen. Po cili gjyqtar? Gjyqtari ka një emër. Gjyqtari i pretenduar i Sali Berisha nuk mund të identifikohet. Çështja ka vajtur deri në Amerikë, por mediat i referohen deklaratave të Sali Berishës. Nuk është Berisha që i bën thirrje Blinken për të paraqitur prova, por është gjykata që i kërkon ato prova, nëse vendos të marrë në shqyrtim çështjen.” – tha Xhunga.

Sipas tij, asnjë media apo autoritet amerikan nuk ka kërkuar informacion pranë gjykatës lidhur me rastin.

“Asnjë autoritet apo media amerikane nuk është interesuar në zyrat e kësaj gjykate për të marrë informacion për këtë çështje. Vetëm një media franceze ka kërkuar informacion. Do ketë një shqyrtim paraprak, ku do të vendoset nëse dosja do të pranohet për gjykim apo jo.” – u shpreh Xhunga për “Zona Zero”.