Lëkundjet e njëpasnjëshme të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar panik tek banorët e Dibrës, të cilët të tmerruar kanë dalë në rrugë.
Sipas “Balkanweb”, nga lëkundjet njësia administrative Gjoricë ka pësuar plasaritje dhe dëmtime dhe punonjësit kanë dalë nga zyrat nga frika.
Ndërkohë Njësia Administrative Gjoricë në Dibër është një nga më të prekurat, ashtu si dhe fshati Topojan në Njësinë Administrative Shupenzë ku gjithashtu ka banesa të dëmtuara.
“Njësia administrative është dëmtuar. Punonjësit janë larguar nga frika.
Godina është e plasaritur, kanë rënë tjegullat dhe po kështu është dëmtuar dhe një kënd. Në Topojan 4 banesa të plasaritura dhe në njësinë Gjoricë ka banesa të dëmtuara.”– raportoi gazetari Enver Doçi.
Banorët kanë treguar se kanë ndjerë 4 lëkundje dhe se kanë dalë të gjithë jashtë. “Dolëm jashtë nga frika, ec e mos dil”– tha njëri prej tyre.
Ndërkohë mësohet se është mbledhur shtabi i emergjencave.