Është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare prokurorja, Erida Kokonozi. Lajmin e hidhur e ka bërë me dije përmes një njoftimi Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Kokonozi e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan, mësohet se vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë të cilën nuk e ka mundur dot.
KLP thotë se zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë dhe do kujtohet përherë me nderim.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpreh ngushëllimet e sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta, në moshën 39 vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, të prokurores Erida Kokonozi, e cila e ushtronte detyrën në Prokurorinë pranë Shkallës së Parë Elbasan.
Zonja Kokonozi ka qenë një nga magjistratët e spikatur të sistemit të prokurorisë, e cila e ka nderuar figurën e prokurorit, duke treguar një shkallë të larte integriteti dhe profesionalizmi në ushtrimin e detyrës.
Komuniteti i prokurorëve do ta kujtojë znj. Kokonozi përherë me nderim, për kontributin e saj të çmuar në fushën e drejtësisë. U shprehim ngushëllimet tona familjareve dhe të afërmve, për ndarjen e saj nga jeta.”– thuhet në njoftimin e KLP-së.