Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka komentuar deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk do të ndryshohet për shkak të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një konferencë për gazetarë në Beograd, Vuçiç tha se kjo është çështje për BE-në dhe se vendi i tij po pret përgjigjen e Unionit.
“Nëse ata nuk duan ta ndryshojnë atë… Ne e kemi kuptuar mesazhin e tyre dhe do të presim përgjigjen e Evropës dhe BE-së. As ne nuk do ta ndryshojmë Kushtetutën dhe çfarë do të bëjmë atëherë? A do të vrasin serbët, do t’i dëbojnë ata?”– pyeti Vuçiç, citon RTS.
Ai ka theksuar se “arroganca” e përfaqësuesve të Prishtinës dhe mospajtimi i tyre me zbatimin e asaj që tashmë kanë nënshkruar, flet më shumë për ta sesa për Beogradin.
Ai shtoi se Prishtina mund të sillet me arrogancë, por se Beogradi gjithmonë do të sillet me përgjegjësi dhe do të ruajë paqen dhe stabilitetin.
Pak ditë më parë, Osmani tha se Kosova nuk do të lejojë zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin ashtu siç është nënshkruar në Bruksel, sepse sipas saj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar atë si jokushtetuese.