Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite dëbon ambasadorin e Libanit pas komenteve “fyese” të ministrit libanez


Ministri i Informacionit të Libanit, George Kordahi

Arabia Saudite ka urdhëruar ambasadorin e Libanit të largohet brenda 48 orëve për shkak të komenteve “fyese” që ka bërë naj një ministër libanez.

Mbretëria e Arabisë Saudite ka vendosur gjithashtu një ndalim të përgjithshëm për të gjitha importet nga Libani.

Masa vjen disa ditë pasi komentet e ministrit të informacionit të Libanit rreth fushatës ushtarake të udhëhequr nga Arabia Saudite në Jemen, shkaktuan zemërim në mbretëri.

BBC shkruan se Bahreini dhe Kuvajti gjithashtu kanë ndjekur këtë shembull duke urdhëruar dëbimin e ambasadorëve libanezë për shkak të grindjes.

Kryeministri i Libanit ka thënë se i vjen keq për vendimin e sauditëve dhe shpreson se ata do ta rishikojnë.

Liga Arabe tha të shtunën se ishte e shqetësuar për përkeqësimin e marrëdhënieve dhe u kërkoi vendeve të Gjirit “të reflektojnë mbi masat e propozuara për t’u marrë… në mënyrë që të shmangen efektet e mëtejshme negative në ekonominë libaneze në kolaps”.

Në një intervistë të transmetuar në fillim të kësaj jave por të regjistruar në gusht, Ministri i Informacionit në Liban, George Kordahi, dukej se i quajti Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) agresorë në luftën në Jemen.