Vendosni fjalën kyçe....

Biden: Papa më tha se jam një katolik i mirë dhe duhet të vazhdoj të marr kungimin


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden pretendon se Papa Françesku i ka thënë atij se ai është një “katolik i mirë” dhe duhet të vazhdojë të marrë kungimin.

Pas takimit midis Bidenit dhe Papa Françeskut në Vatikan të premten, Biden u përgjigj “jo” kur gazetarët e pyetën nëse ata të dy kishin diskutuar për abortin.

“Ne sapo folëm për faktin se ai ishte i lumtur që isha një katolik i mirë dhe duhet të vazhdoja të merrja kungimin.”- tha ai.

Amerikanët konservatorë shprehën zemërim për këtë deklaratë që sipas Bidenit ka bërë Papa, duke argumentuar se “një katolik i mirë nuk e mbështet vrasjen e foshnjave” dhe se Biden nuk duhet të lejohet të marrë kungimin. Kjo për shkak të mbështetjes që Biden bëri për abortin.

Ndërkohë shumë ishin skeptikë nëse Papa me të vërtetë kishte bërë komente të tilla.

“Po, do të duhet të dëgjojmë nga Papa për këtë. Duke marrë parasysh pikëpamjet e tij për abortin, është shumë e pamundur që ai të ketë thënë.”– tha një komentues i besimit katolik. Një tjetër propozoi që citati i Biden ishte “ndoshta një shtrembërim i rëndë i asaj që tha Papa”.

Që nga inaugurimi i tij në janar, Biden i cili është presidenti i dytë katolik i SHBA-ve në histori pas Presidentit John F. Kennedy, ka ndryshuar politikat kundër abortit të administratës së mëparshme dhe është përpjekur të ndalojë Teksasin të zbatojë një ligj që ndalon abortet pasi të zbulohet një rrahje zemre. Megjithatë sipas një sondazhi të Pew Research këtë javë, 67% e katolikëve amerikanë mendojnë se Biden nuk duhet të skualifikohet nga kungimi për pikëpamjet e tij mbi abortin.

Vetë Papa Françesku është shprehur kundër politikave të abortit të Bidenit, duke thënë se “aborti është vrasje” dhe se “ata që kryejnë aborte vrasin”.