Oficerët e policisë në rajonin rus të Saratovit kanë hapur një procedim kundër deputetit të njohur komunist Valery Rashkin nën dyshimin për gjueti të paligjshme, pasi në makinën e tij u gjet kufoma e një dreri, së bashku me një sëpatë dhe thika me gjurmë gjaku.
Rashkin është anëtar i Partisë Komuniste, fraksioni më i shquar i opozitës në Rusi, dhe njihet për kritikat e tij të hapura ndaj qeverisë dhe administratës së presidentit Vladimir Putin. Ai është deputet që nga viti 1999 dhe kohët e fundit është bërë zëri më i spikatur i krahut radikal të partisë.
Edhe pse autoritetet nuk e kanë konfirmuar emrin e Rashkinit, një video e deputetit është shfaqur që konfirmon identitetin e tij në polici. Ai është pyetur edhe nga një oficer nëse ishte i dehur, gjë që politikani e mohoi.
“Për momentin qytetari po kontrollohet për përfshirje të mundshme në vrasjen e paligjshme të kafshës”, bëri të ditur shërbimi zyrtar për shtyp i policisë. Kjo vjen pas një ankese të paraqitur nga komiteti rajonal për gjuetinë dhe peshkimin.
Sipas autoriteteve, të shtëna janë dëgjuar në rrethin Lysogorsk të Rajonit të Saratovit. Një polic dhe përfaqësues i komitetit të gjuetisë shkuan në vendngjarje dhe gjetën një makinë që drejtohej nga një burrë i lindur në vitin 1955, në të njëjtin vit që ka lindur Rashkin. Mësohet se ai ishte me një person tjetër.
Deputeti më vonë komentoi arrestimin e tij për RTVi. Rashkin mohoi që ai të kishte armë, duke pretenduar se ai doli për një shëtitje në pyll vetëm dhe hasi në tokë kafshën e ngordhur. Pasi e gjeti, ai thirri një shok që të shkonte me makinë tek ai dhe e prenë së bashku. Ata do ta çonin kufomën e kafshës në komisariat, pretendoi deputeti.