Vendosni fjalën kyçe....

Frikë nga Vettingu? Dorëhiqen dy prokuroret e Elbasanit, Ermira Tafani dhe Armarda Xhaferri


Dy prokuroret e Elbasanit, Ermira Tafani dhe Armarda Xhaferri kanë paraqitur dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Report Tv” raporton se dy prokuroret në fjalë nuk kanë dhënë arsye për dorëheqjen e tyre, por dyshimet janë për shkak të frikës nga vettingu si dhe ngarkesa në punë.

Sjellim ndërmend se Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela pak kohë më parë kërkoi hetim disiplinor për njërën nga prokuroret e Elbasanit, Armarda Xhaferri.

Çela i kërkonte Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores. Kjo me argumentin se “Pas informacioneve të marra për zvarritje të veprimeve procedurale në hetimin e procedimeve penale nga ana e prokurores, Sektori i Monitorimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka vijuar me ndjekjen dhe monitorimin e rastit, duke konstatuar veprime të cilat mund të përbëjnë shkelje disiplinore në ushtrimin e detyrës nga ana e prokurores Xhaferri në lidhje me funksionin e saj si magjistrat sipas nenit 102 pika 1 gërma ‘e’ të ligjit 96/2016 ‘Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, ndryshuar me ligjin nr. 48/2019.”

Ndërkohë prokurorja tjetër Ermira Tafani, ka qenë kandidate për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në vitin 2017.