Vendet moderne rrezikojnë të pësojnë fatin e Perandorisë Romake nëse nuk frenojnë urgjentisht ndryshimet klimatike, ka paralajmëruar kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson përpara një samiti të madh të OKB-së.
“Ky është ‘memento mori’ ynë .” – i tha Johnson gazetës italiane ‘La Repubblica’ gjatë një fluturimi për në një takim të G20 në Romë, Itali, duke përdorur një frazë latine që do të thotë: “Mos harroni se do të vdisni”.
“Roma dhe rrënojat e saj të mrekullueshme janë një vend i përsosur për G20 dhe COP26, i cili fillon të dielën. Ato na kujtojnë se nëse nuk trajtojmë ndryshimet klimatike, një qytetërim i jashtëzakonshëm mund të shembet me një ritëm të tmerrshëm. Nuk është një krahasim i largët.”
“Pas rënies së saj, niveli i arsimimit në Romë, aftësitë e ndërtimit u ulën, vilat e mrekullueshme humbën, madje edhe bagëtia u zvogëlua në sasi. E njëjta gjë mund të ndodhë me ne nëse nuk veprojmë kundër ndryshimeve klimatike tani”, tha kryeministri, duke shtuar se ngrohja globale do të nxisë ‘emigrime kolosale, mungesë ushqimi dhe uji dhe shumë konflikte të tjera’.
Johnson ishte optimist se shoqëritë moderne kanë aftësinë për të zbutur efektet negative të njerëzve në planet.
“Do të përdor një metaforë futbolli. Jemi në fund të pjesës së parë, duke humbur pesë me një. Pjesa e dytë do të jetë e vështirë. Por nëse e gjithë bota është një skuadër, ne mund të përmbysim rezultatin. Ndryshe nga romakët e lashtë, vendet moderne kanë teknologjinë për të luftuar ndryshimin e klimës”, tha Johnson.
Në Glasgow, liderët botërorë do të rivlerësojnë premtimet e tyre për të ulur çlirimet e dioksidit të karbonit dhe për të diskutuar investimet në energjinë e rinovueshme.