Policia e Shkodrës thotë se ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në familje, duke ndërhyrë në kohë gjatë konfliktit mes dy bashkëshortëve në Malësinë e Madhe.
Lidhur me ngjarjen është vënë në pranga një 60-vjeçar, i cili tentoi të godiste bashkëshorten e tij me gërshërë dhe e kërcënonte se do ta vriste me armë zjarri.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe Shkodër kanë marrë njoftim se në fshatin Vermosh të Njësisë Administrative Kelmend, shtetasi P. B. kishte konflikt me bashkëshorten e tij shtetasen F. B., të cilës i rrezikohej jeta nga bashkëshorti, pasi ai e kërcënonte me mjet prerës dhe me armë zjarri.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë vënë në pranga shtetasin P. B., 60 vjeç, i cili pas një konflikti me bashkëshorten kishte tentuar ta godiste me mjet prerës gërshërë dhe e kërcënonte se do ta vriste me armë zjarri.”- thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, dy karikatorë, 140 fishekë luftarak dhe një palë gërshërë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kanosja”, ”Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.