Në fillim të këtij muaji, media izraelite raportoi se qeveria e vendit ndau 1.5 miliardë dollarë për t’u përgatitur për një sulm të mundshëm kundër objekteve bërthamore të Iranit, si pjesë e buxhetit të mbrojtjes prej 17.8 miliardë dollarësh për vitin fiskal 2022.
Teherani u përgjigj duke paralajmëruar se Izraeli do të detyrohej të paguante një çmim të rëndë nëse do guxonte të godiste.
Kryeministri izraelit Naftali Bennett thotë se vendi i tij është në një luftë të ftohtë me Iranin dhe planifikon të mposhtë Republikën Islamike në të njëjtën mënyrë si Ronald Reagan supozohet se mundi Bashkimin Sovjetik.
“Ne kemi një luftë të ftohtë me Iranin. Për 30 vitet e fundit Irani është pozicionuar rreth nesh për të na shpërqendruar,” tha Bennett, duke folur për Sunday Times.
“Paraleli është ajo që bëri Reagan. Reganit nuk iu desh të bombardonte Moskën. Ekziston një fuqi rajonale e quajtur Iran dhe ka një fuqi rajonale e quajtur Izrael. Irani është një regjim i kalbur, që shkel të drejtat e njeriut dhe vret homoseksualët dhe gratë që qarkullojnë të pambuluara, ndërkohë që ata nuk mund të furnizojnë as ujë të pastër për qytetarët e tyre, por investojnë burimet e tyre në zhvillimin bërthamor”, pretendoi kryeministri.
Bennett paralajmëroi se Irani do të përballet me ‘ndërlikime shumë serioze nëse vazhdon të pasurojë uraniumin’ dhe theksoi se Tel Avivi ‘do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të neutralizuar këtë kërcënim’.