Policia e Fierit thotë se ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Uniformat blu mësohet se kanë vënë në pranga një 38-vjeçar në fshatin Libofshë, pasi i janë zbuluar 3 kilogramë kanabis. Lëndën narkotike personi i dyshuar e mbante në stan.
“Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e mara në rrugë policore se një shtetas posedonte lëndë narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin Operacional në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në fshatin Libofshë, Fier.
Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa në stanin në pronësi të shtetasit E. K.
Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi E. K., 38 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.