Vendosni fjalën kyçe....

“Mbështetje për vizionin e tij për binjakëzimin me bashkitë tona” – Meta takohet me kryetarin e Komunës Arbëreshe, dhurata që mori


Presidenti Ilir Meta është takuar me një delegacion arbëresh nga ku ka marrë dhe një dhuratë të veçantë, një shall të tifozëve kuqezinj arbëresh.

Meta ka publikuar disa foto nga takimi me kryetarin e Komunës Arbëreshe të Montecilfone, Rajoni i Molises, Giorgio Manes dhe delegacionin, që e shoqëronte.

Ai thotë se ky ishte një takim vëllazëror, ndërsa shpreh të gjithë mbështetjen e tij për vizionin e Manes për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona. Meta thotë se do i jetë përjetë mirënjohës komuniteti arbëresh, për ruajtjen e gjuhës.

“Përherë i lumtur të mirëpres përfaqësues të komunitetit shumë të dashur Arbëresh, urë e fortë dhe shekullore lidhëse e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera me popullin dhe Italinë mike.

Vëllazëror ishte edhe takimi me Kryetarin e Komunës Arbëreshe të Montecilfone, Rajoni i Molises, z. Giorgio Manes dhe delegacionin, që e shoqëronte, me të cilët zhvilluam një bisedë shumë të ngrohtë.

I lumtur të njihesha me përpjekjet e tij për mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, që meritojnë të promovohen dhe trashëgohen brez pas brezi.

I shpreha të gjithë mbështetjen time për vizionin e tij për binjakëzimin e komunave arbëreshe me bashkitë tona, në realizimin e projekteve të përbashkëta ekonomike, sociale, kulturore dhe artistike.

Përjetë mirënjohës komuniteti arbëresh, që mbetet sot ruajtësi i vetëm i gjuhës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një thesar i madh për kombin tonë, për Italinë dhe për trashëgiminë europiane dhe botërore.

E falënderova Kryetarin Manes për dhuratën e veçantë që më solli, një shall të tifozëve kuqezinj arbëresh të Piana degli Albanesi.”- shkruan Meta pas këtij takimi.