Vendosni fjalën kyçe....

Meta merr pjesë në meshën e së dielës në kishën arbëreshe në Romë: U luta për mbrojtjen dhe begatinë e Shqipërisë


Presidenti Ilir Meta ka marrë pjesë në meshën e së dielës në Kishën Ortodokse Arbëreshe të Shën Athanasit në Romë.

Në një postim në “Facebook”, Meta shprehet se është lutur për mbrojtjen dhe begatinë e Shqipërisë, të komunitetit Arbëresh dhe për forcimin e marrëdhënieve me Italinë.

Meta shpreh kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe emocionin e veçantë që ka ndjerë nga predikimi në arbërisht.

“I lumtur të merrja pjesë sot në meshën e së dielës në Kishën Ortodokse Arbëreshe të Shën Athanasit në Romë.
Kënaqësi dhe emocion i veçantë predikimi në Arbërisht, në gjuhën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Një traditë e jashtëzakonshme, që së bashku me kulturën dhe traditat e vyera, trashëgohet prej shekujsh brez pas brezi dhe ruhet në ditët e sotme nga klerikët e nderuar arbëreshë, të cilët i përgëzova për përkushtimin në mbrojtjen e gjuhës, kësaj vlere të madhe kombëtare.
Ju bashkova lutjeve të besimtarëve për mbrojtjen dhe begatinë e Shqipërisë, të komunitetit tonë të dashur Arbëresh dhe për forcimin e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera me popullin dhe Italinë mike!”– shkruan Meta.

Kujtojmë se më herët presidenti Meta u takua me kryetarin e Komunës Arbëreshe të Montecilfone, Rajoni i Molises, Giorgio Manes nga i cili mori dhe një dhuratë të veçantë, një shall të tifozëve kuqezinj arbëresh të Piana degli Albanesi.