Vendosni fjalën kyçe....

“Ndihem i lirë për herë të parë” – Refugjatët afganë të komunitetit LGBT mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar


“Ndjehem si një qenie njerëzore për herë të parë” në jetën time, kështu është shprehur një afgan homoseksual pasi mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar sëbashku me 28 të tjerë nga komuniteti LGBT.

Burri homoseksual, identiteti i të cilit nuk përmendet për arsye sigurie, u largua nga Afganistani pas ardhjes së talibanëve në pushtet.

Grupi islamik i linjës së ashpër u kthye në pushtet në gusht, pasi trupat e udhëhequra nga SHBA-të u larguan pas 20-vjetësh

Të premten, një zëdhënës i talibanëve i tha agjencisë së lajmeve Reuters se grupi nuk do të respektonte të drejtat e homoseksualëve. “Gjithçka u shemb pas rënies së Kabulit.”- tha burri për BBC. “Isha shumë në depresion, numëroja ditët për të vdekur. Unë isha i huaj në shtëpinë time dhe në shtratin tim. Ndjeva se isha i huaj në vendlindjen time, Kabul.”

Kthimi i talibanëve shkaktoi një eksod masiv të njerëzve që besonin se do të ishin në rrezik nëse do të qëndronin, duke përfshirë njerëz që bashkëpunuan ngushtë me SHBA-të dhe aleatët, dhe një numër grash të profilit të lartë. Anëtarët e komunitetit LGBT po përpiqen gjithashtu të largohen, pasi ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre nën pushtetin taleban. Herën e fundit që grupi ishte në pushtet – midis viteve 1996 dhe 2001 – meshkujt homoseksualë thuhet se vriteshin me gurë.

Komuniteti LGBT nuk ka jetuar hapur në 20 vjet që nga ajo kohë dhe si shumë njerëz të tjerë, burri që BBC intervistoi ka një grua dhe një fëmijë.

“Komuniteti LGBTI ishte një komunitet sekret i fshehtë, por ne e njihnim njëri-tjetrin dhe rrjetin tonë dhe nëse njëri prej nesh arrestohej, ata mund të na kishin gjetur ne të tjerët.”- tha ai për BBC-në.

Arratisja e këtij burri ishte e mundur vetëm me ndihmën e organizatave ndërkombëtare LGBT. Ai tregon se një përpjekje fillestare për t’u larguar me fluturime evakuimi nga aeroporti i Kabulit dështoi. Por gati dy muaj më vonë, pasi kishte shkuar në një vend të tretë për të pritur për një vizë, burri mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë anëtarë të komunitetit LGBT të Afganistanit pritet të largohen në muajt e ardhshëm.