Pesë persona janë arrestuar në Sarandë e Korçë.
Në qytetin bregdetar është ndaluar një 26-vjeçar i cili akuzohet për shitje lëndësh narkotike pasi i është kapur një sasi droge e dyshuar kokainë.
Në Korçë, janë ndaluar katër persona të cilet akuzohen për vepra të ndryshme penale si plagosje, tentativë për marrëdhënie seksuale me dhunë, aksident e drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Njoftimi
“Sarandë/Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. L., 26 vjeç, banues në Delvinë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”
Njoftimi
Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ndalimin për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, të shtetasit në kërkim O. B., 17 vjeç, banues në Pogradec, pasi më datë 29.10.2021, në lagjen nr. 2, Pogradec, ka goditur për motive të dobëta, me mjet prerës (thikë) shtetasin A. T., 19 vjeç, banues në Pogradec, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po nga këto struktura u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” mbetur në tentativë, i shtetasit M. K., banues në një fshat të Njësisë Administrative Proptisht, Pogradec, pasi dyshohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një shtetase, duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj.
“Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: L.M., 42 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në qytetin e Korçës, ka përplasur mjetin e shtetasit K. A. dhe është larguar nga vendngjarja. Pasi u kap nga shërbimet e Policisë, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur;
E.P., 20 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 3, Korçë, u kap duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec dhe Korçë, për veprime të mëtejshme.”