Vendosni fjalën kyçe....

Britania i jep 48 orë kohë Francës: Tërhiquni për çështjen e peshkimit ose reagojmë ashpër


Britania ia ka dhënë 48 orë ultimatum Francës për t’u tërhequr lidhur me përplasjen për çështjen e peshkimit, që rrezikon të thellohet në një mosmarrëveshje më të gjerë tregtare ose të përballet me veprime ligjore të vështira sipas marrëveshjes tregtare të Brexit.

Franca thotë se Britania ka kundërshtuar t’u japë peshkatarëve të saj numrin e duhur të licencave për të operuar në ujërat britanike dhe ka thënë se mund të vendosë masa nga e marta, duke përfshirë shtrëngimin e disa kontrolleve për kamionët që lëvizin midis vendeve.

Britania thotë se po lëshon licenca për anijet që mund të provojnë se kanë peshkuar më parë në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar.

Sherri u shtua javën e kaluar kur francezët kapën një anije peshkimi britanike në ujërat franceze pranë Le Havre, duke thënë se nuk kishte licencat e kërkuara, megjithëse pronari i varkës tha se kishte të gjitha dokumentet e duhura.

“Francezët kanë bërë kërcënime krejtësisht të paarsyeshme, duke goditur industrinë tonë të peshkimit, dhe ata duhet t’i tërheqin ato kërcënime ose përndryshe ne do të përdorim mekanizmat e marrëveshjes sonë tregtare me BE për të ndërmarrë veprime,” tha Sekretarja e Jashtme, Liz Truss për Sky News.

“Francezët janë sjellë në mënyrë të padrejtë. Nuk është brenda kushteve të marrëveshjes tregtare. Dhe nëse dikush sillet padrejtësisht në një marrëveshje tregtare, ju keni të drejtë të merrni masa kundër tyre dhe të kërkoni disa masa kompensuese. Dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë nëse francezët nuk tërhiqen”, shtoi Truss.

E pyetur se brenda cilës kornizë kohore duhet të tërhiqet Franca, Truss tha: “Kjo çështje duhet të zgjidhet në 48 orët e ardhshme”.