Federata Shqiptare e Futbollit është gjobitur nga FIFA dhe dy herë të tjera. E para, për dronin që u ngrit në “Air Albania“ në sfidën ndaj Hungarisë në 5 shtator me banderolën për Taulant Ballën, e dyta për shkak të tejkalimit të numrit të kartonëve në sfidën ndaj Polonisë që kuqezinjtë luajtën në transfertë në datën 2 shtator.
Për rastin e parë kujtojmë se në ndeshjen e zhvilluar kundër Hungarisë më 5 shtator, u ngrit një banderolë me tekstin “Taulant Balla, Elbasani ty të do“.
Këtë FIFA e cilëson si “veprim që cenon sigurinë e ndeshjes që përfshin hedhjen e objekteve, ngritjen e dronëve apo përcjelljen e mesazheve jo të duhura për një ndeshje sportive“. Për këtë, FSHF-ja është gjobitur me 37 500 franga.
Ndërkohë për tejkalimin e kartonëve në ndeshjen me Poloninë, FSHF është gjobitur me 5 mijë franga.
Nuk ka kaluar shumë kohë kur FSHF u gjobit nga FIFA me 150 mijë franga dhe 1 ndeshje pa praninë e tifozëve për shkak të incidenteve të ndodhura në “Air Albania” në sfidën me Poloninë.