Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka marrë si të pandehur kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.
Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi për Mediat nga SPAK, ku bëhet me dije se është regjistruar procedimi penal në ngarkim të tij, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
“Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.”– thuhet në njoftimin e SPAK-ut.
Kujtojmë se kryebashkiaku Ismailaj u kallëzua më 3 gusht në SPAK nga Partia Demokratike.
Ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, i cili dorëzoi padinë dhe i kërkonte SPAK-ut ta merrte Ismailajn nën hetim për falsifikim.
NJOFTIMI I SPAK-ut
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, më datë 07.09.2021, ka regjistruar procedimin penal me Nr.236/2021, në ngarkim të shtetasit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, si i dyshuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Në kuadër të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe në përfundim është konkluduar se shtetasi Qerim Ismailaj, ka konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 190, paragrafi i parë i Kodit Penal, e për rrjedhojë, i është komunikuar akuza, është marrë me cilësinë e të pandehurit dhe janë përfunduar hetimet.
Sot me datë 01.11.2021 nga Prokuroria e Posaçme është dërguar kërkesa për gjykimin e çështjes pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në ngarkim të të pandehurit Qerim Ismailaj, me funksion Kryetar i Bashkisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” të parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.