Vendosni fjalën kyçe....

Pamje surreale e ribashkime të përlotura pasi Australia rihapi kufijtë për të vaksinuarit pas 600 ditësh karantinë lidhur me Covid-19


Australia ka lehtësuar kufijtë e saj të ashpër ndërkombëtarë të hënën, duke lejuar shumë familje të ribashkohen pas muajsh të ndarë dhe duke shkaktuar skena emocionale në aeroportet në Sidnei dhe Melburn.

Duke filluar nga 1 nëntori, shtetasit australianë të vaksinuar plotësisht kanë marrë dritën jeshile për të udhëtuar lirisht jashtë vendit pa një leje të posaçme ose pa nevojë për karantinë pas mbërritjes.

Lëvizja vjen pasi një pjesë e madhe e Australisë kalon nga e ashtuquajtura strategji e menaxhimit të pandemisë Covid-zero, për të jetuar me virusin mes një përpjekjeje në shkallë të gjerë vaksinimi. Mbi 77% e atyre 16 vjeç e lart në vendin me 25.9 milionë banorë i kanë bërë të dyja dozat deri më tani, tha Ministria e Shëndetësisë.

Qeveria australiane ka pasur një nga përgjigjet më të ashpra ndaj pandemisë, duke mbyllur kufijtë e saj ndërkombëtarë 18 muaj më parë. Si shtetasve ashtu edhe udhëtarëve të huaj u është ndaluar hyrja apo dalja nga vendi pa përjashtim. Lëvizja ndau familjet dhe miqtë, duke lënë shumë australianë të paaftë për të marrë pjesë në ngjarje të rëndësishme, dasma apo funerale.

Herët të hënën, fluturimet nga Singapori dhe Los Angeles u ulën të parët në Sydney. Pasagjerët e mbërritur i thanë mediave se udhëtimi i tyre ishte ‘pak i frikshëm dhe emocionues’ dhe e përshkruan ndjenjën përfundimtare të të qenit në gjendje të kthehesh në shtëpi pas gjithë kësaj kohe si ‘surreale’.

Njerëzit u përqafuan dhe qanë me lot gëzimi teksa u ribashkuan me të dashurit e tyre pas ndarjes së gjatë.