Vendosni fjalën kyçe....

Shembet pallati në ndërtim në Nigeri, dhjetëra punonjës të bllokuar nën rrënoja, tre të vdekur (FOTO)


Disa njerëz dyshohet se kanë mbetur të bllokuar pas shembjes së një ndërtese të lartë në ndërtim në Nigori.

BBC raporton duke iu referuar autoriteteve nigeriane se të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes që janë publikuar në medie, tregojnë një grumbull të madh rrënojash dhe ekipet e shpëtimit që përpiqen të shpëtojnë njerëzit e bllokuar.

Disa punëtorë dhe banorë të zonës i kanë lëvizur pllakat e betonit me duar, për të arritur tek njerëzit e bllokuar.

Në vendngjarje ndodhet edhe një fadromë.

“Është një ndërtesë 25-katëshe ende në ndërtim. Shumë punëtorë janë bllokuar nën rrënoja. Ne po përpiqemi t’i shpëtojmë.”– citohet të ketë thënë Oke-Osanyintolu, kreu i agjencisë shtetërore të menaxhimit të emergjencave në Lagos.

Shkaqet e këtij incidenti janë ende të paqarta, por banorët i janë bashkuar operacioneve të shpëtimit dhe kanë kritikuar autoritetet për mosreagimin e shpejtë, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Ndërtesa u shemb në orën 14:45 (sipas orës lokale) dhe dëshmitarët thanë se ekipet e shpëtimit erdhën 90 minuta më vonë.

Disa nga punëtorët në vendngjarje thanë se kolegët e tyre ishin ende të bllokuar në rrënoja.

“Ndihem shumë keq sepse njerëzit që janë brenda kanë familje.”– tha njëri prej tyre i identifikuar si Latif Shittu.

Standardet e ndërtimit në Nigeri janë kritikuar shpesh pasi incidente të ngjashme janë përsëritur disa herë përgjatë viteve dhe autoritetet shtetërore të Lagos së fundmi kanë nisur një skemë të re për të përmirësuar certifikimin e tyre.