SPAK mori të pandehur kryebashkiakun e Mallakastrës, reagon Gazment Bardhi: Akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës, të zhbëhet modeli i politikanit gangster


Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të SPAK-ut për të marrë nën hetim kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së shkruan në një postim në rrjetet sociale se ky është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës.

“Marrja si i pandehur i uzurpuesit ilegjitim të Bashkisë së Mallakastrës është një akt i mirëpritur drejt pastrimit të politikës. Me kallëzimin tonë në SPAK, pasi treguam me dokumenta se mandati i tij ishte i paligjshëm, PD bëri vetëm detyrën ndaj qytetarëve. Ne i qendrojmë bindjes sonë se mund të ecim përpara drejt zhvillimit pa politikanë të korruptuar e të lidhur me krimin.

Të zgjedhurit në parlament, në qeveri dhe në bashki duhet të jenë shërbëtorë vetëm të interesave të qytetarëve. Edi Rama futi në politikë modelin e politikanit gangster, që rri në pushtet në aleancë me krimin.  Ky model duhet zhbërë përmes vetingut në politikë. Shqiptarët meritojnë të qeverisen nga politikanë me integritet.”- shkruan Bardhi i cili ishte ai që dorëzoi padinë disa muaj më parë në SPAK kundër Ismailajt.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë njoftoi sot se kishte marrë si të pandehur kryebashkiakun socialist të Mallakastrës, Qerim Ismailaj.

Ky i fundit u kallëzua më 3 gusht në SPAK nga Partia Demokratike për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.