Më shumë se pesë milionë njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në mbarë botën, 19 muaj që nga fillimi i pandemisë. Të dhënat janë publikuar nga Universiteti Johns Hopkins.
BBC shkruan se vaksinat kanë ngadalësuar shkallën e vdekjeve, por disa ekspertë shëndetësorë thonë se numri i vërtetë i vdekjeve nga koronavirusi mund të jetë shumë më i lartë.
Ky moment historik vjen mes paralajmërimeve nga zyrtarët shëndetësorë se rastet dhe vdekjet në disa vende po rriten për herë të parë në muaj.
Gati 250 milionë raste të virusit janë regjistruar në mbarë botën.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se numri i vërtetë global i vdekjeve nga pandemia mund të jetë dy deri në tre herë më i lartë se të dhënat zyrtare.
Në SHBA, më shumë se 745,800 njerëz kanë vdekur, duke e bërë atë vendin me numrin më të madh të vdekjeve të regjistruara.
SHBA-ja pasohet nga Brazili, me 607,824 vdekje të regjistruara dhe India e treta, me 458,437 vdekje. Por ekspertët e shëndetësisë besojnë se këto shifra janë më të ulëta, pjesërisht për shkak të vdekjeve në shtëpi dhe atyre në komunitetet rurale të cilat nuk janë regjistruar si vdekje nga Covidi.
U deshën mbi 110 ditë për të shkuar nga katër milionë vdekje në pesë milionë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus vuri në dukje një rritje të rasteve në Evropë, ku vendet me shkallë të ulët të vaksinimit po shohin rritje të infeksioneve dhe vdekjeve.
Javën e kaluar, Rusia regjistroi numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve ditore që nga fillimi i pandemisë. Rusia përbën 10% të miliona vdekjeve të fundit të regjistruara globalisht.