Lideri historik i PD-së, Sali Berisha, nga Foltorja e Kamzës deklaroi se Edi Rama e ka kthyer PD-në në shtojcë të partisë së tijën.
Berisha theksoi se demokratët blihen me viza dhe sovranitetin e partisë nuk do e prekë askush.
“Foltorja jonë është kthyer në burim shprese për qytetarët, por në fakt ka lemeritur pushtetin, që bëjnë gjithçka për ta etiketuar.
Një qytetar nga Gjirokastra, minoritar më shkruan një mesazh. “Z.Berisha këtyre që na vendosin etiketa, thuaji këtyre se ne që mblidhemi në “Foltore” jetojmë me djersën e ballit tonë.
Ndaj edhe ne Partinë Demokratike që Edi Rama e ktheu në një shtojcë të partisë së tij do ta ngremë më fuqishëm se kurrë. Dhe do ju themi kujtdo në botë se sovranitetin e kësaj partie nuk mund ta prekë kush.
Nuk mundet kush kurrë kësaj partie t’i diktojë se kush do jetë kryetari i saj përveç votës tuaj. Nuk mund kush kurrë të imagjinojë të blejë dhe shesë me viza si Kolombi me pasqyra indianët demokratët e Shqipërisë. Kurrë nuk do të ndodhë ajo.
Ne do qëndrojmë si partnerë të denjë, miq të vërtetë të SHBA-ve dhe BE-së, do të qëndrojmë besnikë të vokacionit perëndimor të kombit tonë. Ne jemi historia e Shqipërisë së lirë. Askush nuk ka të drejtë të jetë më krenar se ne”-tha ai.