Sali Berisha nga foltorja e Kamzës u premtoi demokratëve të pranishëm se nga lëvizja e tij anëtarësia do zgjedhë nëpërmjet primareve deputetin që do.
Ai shtoi se nëpërmjet këtyre përpjekjeve të kalohet te demokracia direkte dhe do jenë forumet që do zgjidhen që do vendosin në emrin e anëtarëve.
“Çdo demokrat dhe demokrate duhet të bashkohet në përpjekjen tonë për të mbajtur kuvendin dhe për të vendosur rregulla që respektojnë dinjitetin dhe votën tuaj. Duhet ju të zgjidhni deputetët tuaj, duhet të zgjidhni atë që vlerësoni më shumë. Vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë deputeti juaj dhe jo i kryetarit. Do angazhohet dhe do vendosë me ju një raport të drejtë. Ndaj dhe ne do vendosim primaren, do jeni ju që do përcaktoni renditjen e deputetit dhe të këshilltarëve. Do jeni ju që të zgjidhni kryetarin. Pra ne do kalojmë tek demokracia direkte, e juaja dhe forumet që do zgjidhni do vendosin në emrin tuaj”, u shpreh Berisha.
Ish-kryeministri kërkoi falje për qëndrimet që ka mbajtur në vitin 2017, por u justifikua me faktin që ishte tërhequr nga drejtimi i partisë.
“E pranoj se jam i vonuar dhe kërkoj ndjesë për qëndrimin time, por i lidhur me një vendim timin që unë largohem pa kthim dhe kisha një pengesë të madhe ta anuloja atë vendim. Në 2017 unë duhet të ngrihesha mbi këtë vendim dhe të qëndroja në anën tuaj. Në anë e demokratëve në mënyrë që sot PD të mos ishte në opozitë, por të ishte në pushtet”, tha Sali Berisha.