Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi: Propozimet për ndryshimet kushtetuese s’janë diskutuar në grupin e PD-së po vetëm nga një bërthamë e vogël, s’i kam firmosur


Deputeti i PD-së, Bylykbashi, ka pohuar se ndryshimet kushtetuese që janë propozuar nga kreu i partisë Basha, nuk janë diskutuar fare në grupin parlamentar po vetëm nga një bërthamë e vogël njerëzish.

I ftuar në emisionin ‘Drejt’ të Luan Ramës në Ora News, Bylykbashi tha se nuk e ka firmosur propozimin e bërë.

“Ajo që ndodhi është si film ‘Ëestern’, kush nxjerr pistoletën më shpejt. Çmenduri. Po çoj ca ndryshime kushtetuese në Kuvend për të zënë radhën. Kjo nuk shkon. Kështu nuk mund të bëhet. Nuk e kam firmosur. Ndryshimi i Kushtetutës, që është arkitektura e një shteti, bazamenti nuk mund të bëhet pa pasur një analizë më parë të identifikimit të problematikave, ku çaloi, çfarë nuk funksionoi diskutim në nivel. Secili ka hedhur në treg amendamentin e vet.” – tha Bylykbashi.

Më tej deputeti demokrat foli për propozimet e PD-së për ndryshimet kushtetuese për tre çështje siç janë reforma zgjedhore, ajo territoriale e vettingu në politikë.

“Shkojmë tek amendamentet tona. Propozohen 3 çështje. Në reformën territoriale amendamentet janë të panevojshme, sepse thotë komuna e bashkia. Nëse objektivi është të rikthejmë komunën bëhet me këtë tekst Kushtetute që është sot. Por ne duhet të diskutojmë një herë. As brenda nesh nuk ka një diskutim, aq më pak me palën tjetër, nëse ne duhet të rikthejmë komunat apo të reduktojmë madhësinë e bashkive për të sjellë shërbimin e pushtetin vendor më pranë qytetarëve, e që do të sjellë automatikisht një rritje të numrit të bashkive. Reforma zgjedhore. Është një amendament që pretendon zhbërjen e amendamenteve të 30 korrikut,  ndërkohë që është konfirmim i 30 korrikut. Propozimi jonë thotë system proporcional, rajonal me listë të hapur e koalicion partish. Sistemi që kemi sot është sistemi proporcional rajonal me listë të hapur e koalicion partish. Sistemi zgjedhor a mund të shërbejë si një gjë me vlerë kaq të ulët për vetingun e politikës. Vetingu i politikës është i fundit në këtë histori, sepse sistemi zgjedhor nëse ne arrijmë ta gjejmë saktë, mund të na japë stabilitetin demokratik per 20 vitet e ardhshme dhe mund të nisë të bjerë kryetarokracia. Vettingu i politikës eshte në pikëpyetje nga Komisioni i Venecias. Ne kemi instrumentet për të bërë vettingun e politikës. Kemi ligjin antimafia, SPAK, ILDKP, dhe një herë në 4 vjet. Nëse i përdorim në mënyrë efikase politikanët do ta kenë të vështirë.” – tha Bylykbashi.