Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi me presidentin e NDI-së: Integrimi i Shqipërisë në BE, duhet shpëtuar nga pengmarrja e interesave private të politikanëve


Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, është takuar sot me Presidentin e Institutit Demokratik Amerikan NDI, Derek Mitchell. Po ashtu i pranishëm në takim ishte edhe drejtori rajonal Robert Benjamin.

Pas këtij takimi zonja Kryemadhi ka publikuar disa foto, krahas të cilave shprehet se NDI është një partner i vyer i LSI-së dhe Shqipërisë, për ndërtimin dhe rritjen e demokracisë në vend.

Kryemadhi thotë se LSI ka theksuar se integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane, duhet shpëtuar nga pengmarrja e interesave private të politikanëve.

“Instituti Demokratik Amerikan (NDI) është një partner i vyer i LSI-së dhe Shqipërisë, për ndërtimin dhe rritjen e demokracisë në vend.

Gjatë takimit të sotëm me Presidentin e NDI, Z. Derek Mitchell dhe drejtorin rajonal z. Robert Benjamin, vlerësova mbështetjen e pakursyer të ofruar ndër vite dhe bashkëndamë mendimin për nevojën e pavarësimit dhe fuqizimit të parlamentit, si institucioni bazë që garanton një demokraci funksionale që i shërben të gjithë qytetarëve. Duke i shprehur nevojën për një aktivitet të shtuar të NDI në Shqipëri, me theks tek mbështetja e të rinjve dhe grave në politikëbërje, i nënvizova qëndrimin tonë, se Integrimi i Shqipërisë në familjen evropiane, duhet shpëtuar nga pengmarrja e interesave private të politikanëve, dhe LSI do të vijojë e angazhuar, si një opozitë konstruktive për të çuar përpara reformat dhe aksionet e nevojshme që e realizojnë këtë mision sa më parë.”- shkruan Kryemadhi.