Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja izraelite në karrige me rrota nuk u fut dot brenda Samitit të Klimës, Britania kërkon falje


Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka kërkuar falje një ministreje izraelite, e cila nuk mundi dot të merrte pjesë në samitin COP26 të hënën, sepse hyrja për në samit nuk ishte e përshtatshme për karriget me rrota.

Ministrja Karine Elharrar shkroi në një postim në “Twitter” se ishte “e trishtuar” që OKB “nuk ofron akses në eventet e veta”.

Një zyrtar në delegacionin e kryeministrit izraelit Naftali Bennett tha se ata ishin ankuar zyrtarisht te organizatorët.

Ministri i Mjedisit në Mbretërinë e Bashkuar, George Eustice, tha se incidenti ishte “thellësisht për t’u keqardhur”. Dhe ai shtoi se qeveria i kishte kërkuar falje zonjës Elharrar, e cila vuan nga distrofia muskulare.

Por organizata bamirëse për aftësitë e kufizuar “Scope” tha se kjo ishte “e pafalshme” dhe organizatorët “duhej ta kishin parë këtë që po vinte”.

Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly, postoi në “Twitter” një foto të tij duke takuar ministren izraelite të martën në mëngjes brenda Samitit, duke thënë se ishte “thellësisht i zhgënjyer dhe i frustruar” që të hënën ajo nuk mund të hynte.

 

Por më parë, ministri i Mjedisit Eustice dukej se kishte fajësuar delegacionin izraelit për faktin se zonja Elharrar nuk mundi të hynte.

“Ajo që normalisht do të ndodhte në këtë situatë është se Izraeli do të kishte komunikuar se ata kishin atë nevojë të veçantë për ministren e tyre. Kishte padyshim diçka që shkoi keq në këtë rast dhe ata nuk ishin të vetëdijshëm për këtë, kështu që ata nuk kishin marrë masat e duhura në atë hyrje të veçantë që ajo po vinte gjithashtu.”- ishte shprehur ministri britanik i Mjedisit, citon BBC.