Vendosni fjalën kyçe....

Ministrja Manastirliu: Ka nisur vaksinimi i mjekëve dhe grupeve të rrezikuara me dozën e tretë


Ka nisur vaksinimi me dozën e tretë, apo dozën “booster”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në “Air Albania” dhe tha se aplikimi i dozës së tretë ka flluar me mjekët dhe infermierët, por paralalelisht edhe për qytetarët me problematika shëndetësore.

 “Kemi filluar menjëherë me grupet që janë më të rrezikuara, që janë mjekët, infermierët dhe sot në të gjithë qendrat shëndetësore aty ku mjekët, infermierët punojnë, por edhe gjithashtu në strukturat tona të vaksinimit të përqendruar tashmë ka filluar vaksinimi me dozën e tretë booster për personelin mjekësor. Nga ana tjetër paralelisht ka filluar vaksinimi me dozën booster për të gjithë ata qytetarë të grupmoshës +60 vjeç dhe sigurisht për +18 vjeç me problematika shëndetësore.”- tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina për të garantuar vaksinimin e qytetarëve gjatë këtij viti por edhe vitin tjetër: “Ne do të vijojmë furnizimin me vaksina ashtu sikurse kemi bërë deri më sot. Po vijojmë të negociojmë me kompaninë Pfizer por nga ana tjetër edhe më të gjithë kompanitë të cilat janë në marrëveshje me instrumentin Covax, në mënyrë që të vijojmë të sigurojmë vaksinat për të gjithë qytetarët edhe për raundin e parë dhe të dytë, pra vaksinën e dozës së parë dhe të dytë, por gjithashtu edhe për sigurimin e vaksinave të dozës së tretë, atyre booster përgjatë gjithë këtij viti dhe vitin tjetër.”